BRUKSEL, 12 dhjetor /ATSH-AFP/ - NATO akuzoi sot Rusinë se nuk po tregonte asnjë interes për një dialog të vërtetë, ndërkohë që Aleanca i ka shtrirë dorën për rifillimin e kontakteve ushtarake mbi fluturimet ruse në Balltik.
NATO ka njoftuar vazhdimisht një rritje të aktivitetit ushtarak rus pranë kufijve të saj, veçanërisht fluturimet mbi Balltik të avionëve ushtarakë që janë interceptuar herë pas here nga avionët luftarakë të Aleancës të vendosur në rajon.
Të dielën, fluturime të tjera, veçanërisht të avionëve të aftë për të transportuar bomba bërthamore, u konstatuan nga NATO, që njoftoi praninë e më shumë se 30 avionëve rusë mbi detin Balltik.
"Asnjë kontakt i nivelit të lartë mes ushtarakëve nuk është zhvilluar lidhur me këtë rast. Nuk ka pasur biseda mes autoriteteve ushtarake të NATO-s dhe shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valeri Guerassimov që prej muajit maj, por mundësitë janë të hapura", theksoi sot kapiteni, Dan Termansen, zëdhënës i presidentit të komitetit ushtarak të NATO-s./
/ec/









