Bruksel, Tahiri: Në shtator shuhen
të gjitha strukturat ilegale serbe

Bruksel, Tahiri: Në shtator shuhen<br />të gjitha strukturat ilegale serbe
BRUKSEL - Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në përbërje të të cilit ishin drejtues dhe ekspertë të fushave të drejtësisë, sigurisë dhe qeverisjes lokale, mori pjesë në takimin e dytë për Zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, prej 5 deri më 7 qershor 2013, në Bruksel, bën të ditur "Koha Ditore" në Kosovë.
 
Sipas një komunikate të Zyrës së zëvendëskryeministres Tahiri, në axhendën e bisedimeve ishin çështjet që ndërlidhën me fushën e drejtësisë dhe sigurisë, si dhe çështja e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe diskutimet u fokusuan për ndërtimin e një plani të detajuar lidhur me obligimet zbatuese të secilës pale, si dhe afatet kohore, obligime këto, që rrjedhin nga Marrëveshja për normalizim dhe Plani për zbatim.
 
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pas përfundimit tha se “në këto takime tre ditore për Planin e zbatimit të marrëveshjes ka pasur një angazhim intensiv të të gjitha palëve, të përfshira në proces dhe mund të vlerësojmë se ka pasur përparime të reja drejt këtij procesi, por edhe diferenca në mes palëve, të cilat duhet të diskutohen në fazat e ardhshme, duke theksuar po ashtu se, ka edhe çështje, të cilat nuk kanë arritur që të diskutohen kësaj radhe, por që janë evidentuar dhe se do të jenë në axhendë në takimin e radhës.
 
“Është me rëndësi të theksohet se sa i përket zhbërjes së strukturave paralele në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë janë diskutuar afatet kohore, se kur do të shpërbehen këto struktura përfundimisht dhe se jemi dakorduar se më 1 shtator 2013 duhet të shuhen plotësisht strukturat ilegale serbe në fushën e drejtësisë pra do të mbyllen të gjitha gjykatat paralele, ndërsa më 30 shtator do të shuhen strukturat paralele të policisë. Procesi i shuarjes së strukturave paralele do të fillojë në pjesën e dytë të muajit qershor, kur pritet të arrihet marrëveshja për Planin e detajuar për zbatimin e marrëveshjes, mes të dyja shteteve me garancat e BE-së. Në këtë kontekst ajo bëri të ditur se pala e Kosovës ka kërkuar, që Serbia sa më parë të marrë vendim për ndaljen e financimit të strukturave paralele, që i ka instaluar në mënyrë ilegale në Kosovë.”
 
Znj. Tahiri njoftoi se është diskutuar po ashtu një plan dinamik që parasheh integrimin e individëve nga komuniteti serb, të cilët janë të interesuar që të integrohen në policinë e shtetit të Kosovës dhe për këtë qëllim pala e Kosovës ka bërë të njohur procedurat dhe kriteret e rekrutimit sipas legjislacionit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
 
“Çështja e integrimit në fushën e gjykatave ka mbetur të diskutohet në takimet e radhës, ndërkohë që Delegacioni i Kosovës ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për integrimin e individëve serb në përputhje kriteret e përcaktuara me ligjet e Kosovës dhe duke marrë për bazë kapacitetet integruese të institucioneve të shtetit të Kosovës”, tha Tahiri.
 
Në diskutimet për zbatimin e pjesës, që ndërlidhet me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në katër komuna është arritur pajtimi për krijimin e një Ekipi Menaxhues, i cili do të ndihmojë procesin e themelimit të këtij Asociacioni, që pritet të funksionalizohet pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në tërë vendin tone, të organizuara nga institucionet kompetente të shtetit të Kosovës, si dhe me një rol lehtësues të OSBE-së për komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.
 
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë po ashtu se, ka qenë e mundur të arrihen edhe më shumë rezultate, mirëpo që pengesat janë krijuar nga pala serbe, të cilës i ka munguar serioziteti i duhur, si dhe problemi kronik i tyre i pamundësisë, që ta braktisin mentalitetin e së kaluarës.
 
Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është takuar me Fernando Gjentilin, Drejtor për Evropën dhe rajonin në Shërbimin e jashtëm të BE-së me të cilin ka diskutuar për rëndësinë e zbatimit praktik të Marrëveshjes për normalizim sipas afateve të parapara në Planin për Zbatimin e Marrëveshjes për normalizim.
 
Ajo ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe gjithë institucioneve shtetërore të vendit për të përmbushur obligimet zbatuese, duke thënë se Kosova si shtet është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe me të drejtë pret mbështetjen e BE-së për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim për Kosovën, në Samitin e Këshillit Evropian në fund të qershorit. Ajo ka falënderuar Bashkimin Evropian dhe personalisht Baroneshën Ashton për angazhimet që ky proces paqësor të përfundoj me sukses.
 
Takimet vazhdojnë javën tjetër ku po ashtu pritet që të vazhdojnë bisedimet për arritjen e marrëveshjes në fushën e telekomit dhe të energjisë.
 
Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kishte këtë përbërje: Dren Zeka, këshilltar kryesor politik, Arjeta Rexhaj këshilltare politike. Grupi punues për çështjet e drejtësisë: Ismet Kabashi (kryesues i grupit punues), Enver Peci, Fejzullah Hasani, Sali Mekaj, Donikë Qerimi, Albert Avdiu dhe Ehat Miftaraj. Grupi punues për çështjet e sigurisë: Shpend Maxhuni (kryesues i grupit punues), Fisnik Rexhepi, Bardhyl Jashari. Grupi punues për çështjet e Asociacionit: Besnik Osmani (kryesues i grupit punues), Ruzhdi Halili dhe Qemajl Marmullakaj.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës