BRUKSEL - Skandali i mishit të kalit ishte një nga pikat kyçe në takimin e Brukselit ku morën pjesë më shumë se 200 përfaqësues të vendeve të BE-së me rastin e 15 marsit, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Konsumatorit.

Tema kryesore e këtij takimi ishte siguria e produktit dhe mbikëqyrja e tregut.

Zyrtarët e BE-së thanë se do të ketë zero tolerancë për kompani, që tregtojnë produkte me mish kali të etiketuar si viçi.

Staffan Nilsson, presidenti i Komitetit Evropian Ekonomiko-Social bëri thirrje për mbikëqyrje të rreptë për të gjitha fabrikat e përpunimit të mishit përfshirë dhe sektorët e rrjetit furnizues të ushqimit. Nilsson tha se skandali i mishit të kalit çoi në një mungesë të besimit tek konsumatorët në të gjithë tregun evropian.

Besimi i konsumatorëve në sigurinë ushqimore nganjëherë është tundur në vitet e fundit për shkak të krizave shëndetësore ushqimore. Si përgjigje ndaj sfidës, Bashkimi Evropian ka marrë një sërë masash për të rikthyer besimin e njerëzve në sigurinë e ushqimit prej fermës e deri te tryeza.

(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)