“Bankat japin kredi, bazuar në fondet e tyre të likuiditetit, që janë depozitat. Në këtë kontekst, lidhur me sistemin bankar, ne nuk shikojmë potencial të përfshirjes për parandalimin e pastrimit të parave të bankave, sistemit bankar, në aktivitetin me koncesionet. Kjo është e qartë, pa ekuivok”, u shpreh Sejko, në përgjigje të një pyetjeje nga deputetë të opozitës.
Partia Demokratike kohët e fundit ka kërkuar ndaljen e projektit 1 miliardë euro, duke akuzuar qeverinë se, përmes kësaj skeme, do të pastrojë paratë e drogës. Por kryeministri Edi Rama i ka cilësuar akuzat si qesharake dhe shpërthim imagjinate.
Sejko tha gjithashtu se Banka e Shqipërisë nuk mund të çertifikojë e vetme pastërtinë e parave që do të vijnë nga burimet e tjera të financimit. Sipas tij, kjo detyrë u takon edhe institucioneve të tjera. “Pjesa tjetër ka të bëjë me projektin, me investitorët e projektit. Edhe në këtë pjesë, bankat kanë instrumente për verifikimin e origjinës, por njëkohësisht nuk janë vetëm bankat, janë dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese: parandalimi i pastrimit të parave, e me radhë. Pra, ka një koordinim të grupit të punës për parandalimin e pastrimit të parave. Ka disa kërkesa ligjore dhe rregullative, që kërkohen dhe zbatohen dhe gjithsecili duhet të kryejë detyrën e tij; duhet raportuar origjina dhe burimi i parave, duhet investiguar paralelisht me projektin dhe në rastet e dyshimta duhen filluar investigimet. Kështu funksionon parimisht”, shtoi ai.
Projektet
Sipas Sejkos, projektbuxheti i vitit 2018 i merr parasysh rreziqet që burojnë nga zgjerimi i projekteve të partneritetit publik-privat, duke vendosur kufi mbi vlerën totale të këtyre projekteve. Por, sipas BSH, duhet të vendoset një kufi maksimal mbi vlerën totale të PPP-ve në Ligjin Organik të Buxhetit. Kjo, pasi këto projekte nuk janë pa ndikim në shpenzimet buxhetore.
Pensionet
Ndërkohë, një problem serioz, sipas Bankës së Shqipërisë, përbën skema e pensioneve dhe sigurimet shoqërore në përgjithësi. Deficitet e skemës së pensioneve dhe asaj të sigurimit shoqëror vazhdojnë të mbeten një barrë e rëndë për buxhetin, tha Sejko. “Deficiti i këtyre skemave është rreth 2.5 herë më i lartë se vlera totale e deficitit buxhetor. Ky fenomen duhet të mbetet në monitorim të vazhdueshëm, implikimet afatmesme dhe afatgjata të tij duhen vlerësuar me seriozitet, dhe – në rast se është e nevojshme – duhen marrë masa korrektuese”, deklaroi ai.
Buxheti
Projektbuxheti i vitit 2018 vazhdon rrugën e konsolidimit fiskal, sipas BSH. Banka e Shqipërisë vlerëson se ky Projektbuxhet ruan të pandryshuar kombinimin e politikave ekonomike, që kanë mbështetur zhvillimin e vendit, çka ndihmon në forcimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë, rrit besimin e investitorëve në ekonominë shqiptare, si dhe dërgon sinjalet e duhura në tregjet financiare dhe në agjencitë e renditjes së borxhit publik. Sejko ka vlerësuar parashikimin e uljes së borxhit publik në vitin 2018 me 2.5 pikë përqindje, si ecje përpara në rrugën e konsolidimit ekonomik.
Sa ju takon riskut që opozita sheh tek koncesionet, që sipas saj në vitin 2018, do të përdoren për të pastruar paratë e drogës, guvernatori tha se nuk mund të jepte përgjigje për këtë çështje, pasi nuk njihte detaje specifike mbi koncesionet.
Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com

VIDEO









