Sipas BSH-së, ecuria e çmimeve në tregun e banesave gjatë vitit të shkuar është ndikuar në përgjithësi nga gjallërimi i kërkesës së vlerësuar për blerje banese. Nga këndvështrimi i bizneseve, sektori i ndërtimit raporton një rritje të ngadaltë të kërkesës gjatë 2015-ës. Ndërsa, nga këndvështrimi i bankave, kërkesa e individëve për kredi për blerje banese është ndjeshëm më e lartë gjatë këtij viti. Gjithashtu, bazuar në opinionin e bankave, gjallërimi i tregut të pasurive të paluajtshme ka shërbyer si faktor që ka ndikuar pozitivisht në lehtësimin e standardeve të kreditimit.
Luhatje të ngjashme regjistroi dhe indeksi i qirasë së banesave. Pasi ishte rritur me 7.7% tremujorin e tretë, indeksi i qirasë regjistroi rënie vjetore prej 14.8% në tremujorin e katërt. Rënia në një masë më të madhe e indeksit të qirasë ndaj atij të çmimit u reflektua në një rritje të lehtë të raportit çmim/qira në tremujorin e katërt.
Remitancat dhe tregëtia
Flukset hyrëse të dërgesave prej emigrantëve u zvogëluan me 18% në terma vjetorë gjatë 3 mujorit të fundit të 2015-ës, thuhet në raportin e BSH-së, pas një prirjeje rritëse prej 5 tre-mujorësh radhazi. Kjo është një ndër rëniet më të theksuara në një kohë të shkurtër e remitancave, që rrudh ndjeshëm të ardhurat e familjeve shqiptare, të mësuara tashmë të përballojnë një pjesë të mirë të problemeve të veta financiare me lekët e emigrantëve. BSH vlerëson se një tjetër tendëcë shqetësuese është edhe zvogëlimi i investimet e huaja direkte neto me rreth 4.6% në terma vjetorë. Edhe investimet e tjera neto u vlerësuan në një rritje të detyrimeve me rreth 180 milionë euro, ndikuar kryesisht nga zgjerimi i huasë prej qeverisë qendrore. Mjetet neto të zotëruara në formën e investimeve të portofolit u zvogëluan me rreth 12.7 milionë euro.
Eksportet e mallrave dhe të shërbimeve shënuan rënie me rreth 3.4%, ndërsa importet u zvogëluan me rreth 1.8% në terma vjetorë. Në total, pozicioni neto i llogarisë korrente të vendit regjistroi një deficit prej 325.6 milionë eurosh në tre-mujorin e tretë të vitit 2015. Në ndryshim me dy tremujorët paraardhës, deficiti korrent u zgjerua me rreth 10% në nivel vjetor. Ai u vlerësua në nivelin 12.5% ndaj PBB-së nominale, rreth 0.7 pikë përqindjeje më i lartë se në të njëjtin tremujor të një viti më pare, thekson Banka e Shqipërisë. Sipas zërave përbërës të llogarisë korrente, kontribut në kahun zgjerues dhanë përkeqësimi i deficitit tregtar në mallra e në shërbime dhe zvogëlimi i fluksit hyrës të të ardhurave dytësore.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)