Sipas statistikave, në tremujorin e fundit të vitit, investimet e huaja ranë me 36% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (nga 288 milionë euro, në 184 milionë euro), pasi kishin qëndruar pothuajse të pandryshuara në tremujorin e tretë të vitit.
Rritje e ndjeshme e investimeve të huaja u konstatua vetëm në tremujorin e parë të 2012-s në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me pothuajse trefishim, nga 85 milionë euro, në 206 milionë euro, por, në fakt, ky rezultat ishte pasojë e nivelit shumë të ulët të investimeve në tremujorin e parë 2011, si rrjedhojë e tërheqjes së investitorëve nga trazirat politike të 21 janarit 2011.
Në total, investimet e huaja direkte për gjithë vitin 2012 arritën në 746 milionë euro, duke qëndruar në të njëjtin nivel si në vitin 2011. Kjo përgënjeshtron atë çka u ka paraqitur pak ditë më parë kryeministri investitorëve të huaj, në një takim në mjediset e Coca Cola-s, ku u fol për rritje të vazhdueshme, edhe në kohë krize.
REMITANCAT
Ndërkohë, paratë që emigrantët nga jashtë vendit dërgojnë në shtëpitë e tyre kanë arritur në 2012-n në nivelin më të ulët të dekadës së fundit, gjithnjë sipas të dhënave të publikuara nga bilanci i pagesave i Bankës së Shqipërisë. Sipas treguesve zyrtarë, remitancat arritën në vlerë absolute në 680 milionë euro, me një rënie prej gati 2 përqindësh në krahasim me një vit më parë.
Përgjatë tremujorëve, konstatohet që, në raport me periudhat përkatëse të një viti më parë, ka pasur rënie në tremujorin e dytë dhe të tretë, ndërkohë që në tre muajt e fundit të vitit situata është përmirësuar.
Niveli më i lartë i remitancave në vlerë absolute është shënuar në 2008-n dhe, më pas, me fillimin e krizës ekonomike globale, është shënuar vazhdimisht tkurrje e tyre.
Kriza ekonomike dhe më pas ajo e borxheve ka prekur ndjeshëm dy fqinjët tanë, ku jetojnë e punojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve: Italinë dhe Greqinë. Një pjesë e konsiderueshme e individëve apo familjeve që jetonin e punonin në Greqi janë kthyer në atdhe. Sipas burimeve të ministrisë së Punës, numri i tyrë është rreth 40 mijë vetë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) .02.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)