Përmirësimi i kërkesës po rrit nivelin e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në ekonomi. Sipas anketave të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e tretë të vitit 2014, ky tregues rezulton me rritje për të gjithë sektorët e ekonomisë, ndonese përmirësimi i shfrytëzimit të kapaciteteve ende nuk po shoqërohet me rritje të qëndrueshme të investimeve.

Sipas BSH-se, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi nivelin 74.3%, në përmirësim me rreth 2.7 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e kaluar. Shfrytëzimi i kapaciteteve në këtë sektor qëndron mbi mesataren e tij afatgjatë, por niveli i investimeve në industri është vlerësuar në rënie krahasuar me fillimin e vitit.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në sektorin e ndërtimit rezultoi rreth 57.9%, në rritje me rreth 1.3 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por rreth 7.4 pikë përqindje nën mesataren historike. Edhe bizneset në sektorin e ndërtimit vlerësojnë në rënie nivelin e investimeve, krahasuar me tremujorët e parë të vitit.

Në sektorin e shërbimeve, bizneset kanë shfrytëzuar në masën 76.1% kapacitetet e tyre, përafërsisht në të njëjtin nivel me mesataren afatgjatë të këtij treguesi. Balanca e investimeve të reja të kryera në dy tremujorët e fundit në këtë sektor është në rritje dhe aktualisht qëndron ndjeshëm mbi mesataren afatgjatë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti për tremujorin e tretë rezultoi 79.2%, rreth 1.5 pikë përqindje më e lartë se tremujori i kaluar. Aktualisht, kjo normë qëndron shumë afër nivelit të mesatares afatgjatë.

ATSH