/ATSH/- Banka e Shqipërisë do të vazhdojë zbatimin e masave që mbështesin nxitjen e kreditimit të vendit edhe gjatë vitit 2015. Konkretisht, periudha e zbatimit të masave që mbështesin kreditimin përmes kërkesave më të ulëta për kapital, zgjatet deri në qershor 2015.
Ndërkohë, masat që kufizojnë investimet e bankave jashtë vendit do të jenë të vlefshme deri në fund të dhjetorit 2015. Në kuadrin e paketës së masave për nxitjen e kreditimit, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren "Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit" në dy drejtime. Se pari, per rritjen e portofolit të kredisë së dhënë brenda vendit mes niveleve 4% dhe 10% nuk do të ketë nevojë për mbulim me kapital. Se dyti, rritja e kredisë brenda këtij intervali i zbritet totalit të aktiveve të bankave, duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Pra,  Banka e Shqipërisë incentivon bankat që e rrisin kredinë me të paktën 4% dhe kjo do të vazhdojë deri në fund të qershorit 2015.
Në të kundërt, vendosjet e parave jashtë vendit do të shoqërohen me rritje të kërkesës për kapital.
Ky rregull do të vazhdojë të aplikohet gjatë gjithë vitit 2015, me qëllim që bankat të kufizohen në investimet jashtë vendit dhe të financojnë më shumë ekonominë shqiptare.