Trendi i rritjes ekonomike dhe zhvillimet pozitive i kanë “diktuar” Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 1%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën e së mërkurës me medien tha se, ekonomia ka ruajtur trendin e rritjes edhe gjatë 3-mujorit të katërt të vitit të kaluar ndërsa leku vijoi të mbiçmohet edhe në fillim të këtij viti.
“Efekti i mbiçmimit të lekut do të jetë i pranishëm edhe gjatë 6 muajve të parë të 2019, por do të shuhet në pjesën e dytë të vitit”, deklaroi Guvernatori, pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, ky njoftoi se norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar. Sejko konfirmoi se, kërkesa agregate po rritet, duke sjellë rritjen e prodhimit dhe punësimit, teksa politika monetare po jep kontribut pozitiv.
“Gjatë tre mujorit të tretë të vitit 2018-të rritja ekonomike ka qenë 4,45 %, e ndikuar nga rritja e eksporteve dhe prodhimit të energjisë elektrike”, tha Guvernatori. Ndërsa sqaroi se “ekonomia ka vijuar të rritet edhe gjatë tremujorit të 4 ndoshta edhe pse me një rritje pak më të ngadaltë”.
Presionet e brendshme dhe të jashtme inflacioniste po shkojnë drejt ekuilibrimit. Normat e interesit të kredive mbeten në nivelet më të ulëta historike, kursi i këmbimit ka qenë i qëndrueshëm gjatë muajit janar. Ai veçoi faktin që kredia me probleme u ul në nivelin 11%.
Komente











