TIRANË, 29 Dhjetor /ATSH/- Gjashtë nga 16 bankat tregtare në vend kanë rritur kufirin e kreditimit përtej 4 përqindëshit.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi shtyrjen deri në fund të qershorit 2015, të masave për nxitjen e kreditimit me qëllim uljen e kërkesës për kapital dhe rritjen e kreditimit nga niveli 4% deri në atë 10%.
Banka Qendrore e arsyetoi vendimin mbi bazën e ecurisë së treguesit të kredisë për ekonominë. Ndërsa ka evidentuar se deri tani, vetëm një pjesë e bankave kanë arritur të kalojnë kufirin e rritjes së kredisë prej 4%.
Të dhënat më të fundit të disponueshme që i takojnë fundit të nëntëmujorit, paraqesin bankat me rritjen më të lartë të portofolit të kredisë për "Veneto Banka", me 13.6%, e ndjekur nga "NBG Bank" me 12.7% dhe "Credins" me 12.6%. Banka tjetër që arriti rritje dyshifrore të kreditimit ishte Banka Ndërkombëtare Tregtare me 10.7%.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë e rriti portofolin e kredisë me 6.7%, ndërsa Alpha Bank me diçka me tepër se 4%. Këtyre bankave nuk ju kërkohet kapital për të mbuluar rritjen e kredisë deri në nivelin 10%. Bankat e tjera, deri në fund të shtatorit kanë regjistruar rritje të kredisë në nivel më të ulët se 4%, madje një pjesë e mirë e tyre paraqiten në rënie. e,xh//m.m/












