Në raport me vitin 2015, investimet e huaja direkte janë rritur me 10%. Sipas tremujorëve, pas një gjysme të parë të vakët, investimet e kanë marrë veten, si rrjedhojë e fillimit të punës nga gazsjellësi TAP. Niveli më i lartë është konstatuar në tremujorin e tretë, me 303 milionë euro.
Banka e Shqipërisë ka publikuar për herë të parë edhe të dhëna të detajuara tremujore lidhur me shtetet nga vijnë investimet kryesore dhe llojin e aktivitetit ekonomik të cilit i përkasin. Për vitin 2016, sipas të dhënave, shteti i origjinës për investitorin më të madh me 596 milionë euro, ose 60%, nuk jepet për arsye konfidencialiteti (këtu përfshihet kryesisht TAP, që është një projekt konsorcium i shumë shteteve). Investitori i dytë është Holanda, me 97 milionë euro, i treti Turqia, me 66 milionë euro dhe i katërti Greqia me 46 milionë euro.
Sipas aktivitetit ekonomik, sektori që ka tërheq më shumë investime është ai i energjisë dhe gazit, që i referohet kryesisht investimeve nga gazsjellësi TAP, që filluan në vitin 2016 dhe pritet të kulmojnë në 2017-n. Pjesën më të madhe të investimit të gazjsellësit e zë vlera e tubave, që futen nën tokë dhe nuk kanë vlerë të lartë të shtuar në ekonomi. Investimet në energji dhe gaz janë rritur me 183%, duke arritur në 369 milionë euro, ose gati 40% e totalit.
Rritja e investimeve në këtë fushë ka amortizuar tërësisht rënien e fluksit në industrinë nxjerrëse, me 71% me bazë vjetore në 2016-n.
Si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme të çmimeve të naftës dy vitet e fundit, investimet në industrinë nxjerrëse, që zinin peshën më të madhe ndaj totalit, ranë nga 504 milionë euro në 2014-n, 323 në 2015-n dhe vetëm 92 milionë euro në 2016-n, ose 9% e totalit, nga 58% që ishte kjo peshë në 2014-n.
Investimet në sektorët e tjerë ishin minimale, si shërbimet financiare (kryesisht në kapitalin e bankave) me 76 milionë euro, nga 80 milionë euro një vit më parë dhe ato në pasuritë e paluajtshme me 50 milionë euro, që janë dyfishuar në raport me një vit më parë.
Gazsjellësi
Sektori i ekonomisë vendase që tërhoqi më shumë investime është ai i energjisë dhe gazit, referuar kryesisht investimeve nga gazsjellësi TAP, që filluan në vitin 2016 dhe pritet të kulmojnë në 2017-n.
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com