Bizneset
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë shënoi rënie me 1% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017. Megjithatë, vazhdon të qëndrojë 10.9 pikë mbi mesataren historike të tij.
Ndërkohë, treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit vijoi të shënojë rritje për të tretin tremujor radhazi (+7.2 pikë përqindje). Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin me 8.5 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Përsa u takon pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm, ato rezultuan më të përmirësuara.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë (-2.2 pikë përqindje). Megjithatë, niveli i treguesit qëndron 8 pikë mbi mesataren historike të tij dhe 1.1 pikë përqindje mbi vlerën e të njëjtës periudhë një vit më parë.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 7.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke qëndruar 8.9 pikë përqindje mbi mesataren historike të treguesit. Niveli më i lartë i treguesit reflektoi rritjen e të dy balancave përbërëse: ecuria e biznesit (+8.3 pikë përqindje) dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (+6.1 pikë përqindje). Një përmirësim të ndjeshëm shfaqi edhe balanca e gjendjes financiare të bizneseve të sektorit. Ndërkohë, vlerësimet për punësimin në tremujorin e tretë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie.
Konsumatorët
Ndërkohë, thekson BSH, treguesi i besimit konsumator vazhdoi të rritet edhe gjatë tremujorit të tretë të këtij viti (+1.3 pikë përqindje). Dinamika e përmirësuar e treguesit e ka vendosur atë rreth 4.5 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Balancat e blerjeve të mëdha (+3.3 pikë përqindje) dhe situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve (+2 pikë përqindje) kontribuan në kahun rritës për vlerën e treguesit, duke përcaktuar edhe prirjen e treguesit. Ndërkohë, dy balancat e tjera formuese të tij – situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend dhe situata financiare e pritur e familjes – ranë me përkatësisht 0.3 dhe 0.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë.
Barometri
Por, pavarësisht nga kjo, në një tjetër anketim, këtë herë në rang rajonal, vendi ynë nuk del mirë. Sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që publikoi dje Barometrin e Ballkanit 2017, Shqipëria rezulton me vlerësime të tjera: ndërsa besimi i opinionit publik është pak mbi mesataren e rajonit, rezultatet janë shumë negative për biznesin. Besimi i tij klasifikohet si më i ulëti në rajon, shumë nën mesataren, sidomos për sa i përket indeksit të situatës aktuale.
Në indeksin e besimit të biznesit, në total Shqipëria merr një vlerësim me 56 pikë, më e ulëta së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi, nga 62 që është mesatarja rajonale. Sa i takon vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria del më e ulëta në rajon. 40% e bizneseve të anketuar mendojnë se situata është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit, përqindja më e lartë kjo pas Bosnjës. Vetëm 27% e subjekteve presin që numri i të punësuarve në kompanitë e tyre të rritet gjatë 12 muajve në vijim. Edhe ky është tregues që na rendit të fundit në rajon.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com









