BSH: Përdorimi i parave 'cash' nxit informalitetin, 'fiskalizimi' i jep zgjidhje

Përdorimi i lartë i parasë cash ose fizike në ekonominë shqiptare është nxitës i informalitetit, kështu është shprehur guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Pestë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Sejko u shpreh se ulja e përdorimit të parasë fizike do të ndihmohet shumë edhe nga projektligji i “Fiskalizimit” i cili do të monitorojë çdo transaksion.

“Konkluzionet e deritanishme evidentojnë qartë përfshirjen e ulët financiare të popullsisë shqiptare, jo vetëm krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, por dhe me vendet e rajonit. Të gjitha këto reflektohen në një përdorim të lartë të parasë fizike (cash) në ekonominë shqiptare, ka dhe një kosto konkrete nga përdorimi i tij si mjet pagese, ku në nivel ekonomie shkon më shumë se 1 për qind të PBB-së. Për më tepër, përdorimi i parasë fizike mund të konsiderohet edhe si një nxitës i informalitetit në ekonomi”  u shpreh Sejko.

E pranishme në takim ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, ka theksuar se ky projektligj është në fazë finale të tij, dhe brenda këtij muaji do të dalin edhe raportet kosto-përfitim që do të sjell fiskalizimi.  

Po ashtu në mbledhje është diskutuar edhe për hartimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar, që qytetarët dhe jo vetëm të jenë të mirinformuar për politikat dhe strategjitë monetare që edhe efektiviteti i tyre të jetë më i shpejtë.

SHPJEGIMI I FISKALIZIMIT
Këtë muaj pritet të nis faza e testimit pilot për aplikacionet e fiskalizimit, të cilat do të përdoren më pas për printimin e faturave elektronike. Projektligji i “Fiskalizimi” ka për synim krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale, që duke filluar nga viti i ardhshëm do të jenë aplikacione të instaluara në çdo pajisje kompjuterike, të cilat do të dërgojnë informacion në kohë reale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Ky projektligj sipas Ministrisë së Financave dhe Tatimeve, vjen si një nevojë për të ulur ekonominë informale, pasi do të bëhet i mundur monitorimi në kohë reale i çdo transaksioni. Po ashtu pritet të ketë përmirësim në mbledhjen e të ardhurave si dhe ulje të kontrolleve në terren nga inspektorët.

Aktualisht ka përfunduar faza e konsultimit publik, me bizneset ku janë marrë edhe komentet e para për sistemin e fisklaizimit, ku tre kanë qenë pikat kryesore, ku ekspertë nga fusha të ndryshme kanë pasur rezerva.

Së pari ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodh me kasat fiskale, do të dalin jashtë funksionit, apo do mund të modifikohet aplikacioni i ri në to.

Së dyti nuk ka një analizë kosto-përfitim të detajuar, se sa do të jenë kostot që duhet të paguajë biznesi për këtë aplikacion, dhe se sa pritet të përmirësohen realisht financat e shtetit nga ky sistem.

Dhe së treti kritika ka pasur edhe për fazën e parë të implementimit të këtij projektligji që është 1 janari 2020, që do të përdoret në shitjet-blerjet mes biznesit dhe konsumatorit.

Po ashtu fiskalizimi do të pritet të liberalizojë edhe tregun e pajisjeve fiskale pasi nuk do të ketë një aplikacion të vetëm por shumë të tillë, dhe bizneset do të kenë mundësinë të zgjedhin pajisjen e re fiskale.

Tashmë kompanitë e fushës së IT-së po dorëzojnë pranë AKSHI-t aplikacionet e para, të cilat do të testohen dhe më pas do të vendoset nëse ato plotësojnë të gjitha kushtet për tu përdorur nga biznesi.

I gjithë ky projekt do të vihet në zbatim në tre faza, fillimisht do kontrollohen transaksionet biznes – konsumator, më pas biznes-biznes dhe në fund biznes-shtet.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë