Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi këtë javë rregulloren “për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për prona të paluajtshme”. Qëllimi është që të zgjerojë të dhënat që mblidhen nga bankat dhe subjektet kredidhënëse lidhur me treguesit e standardeve që ato përdorin për ekspozimin ndaj pronave të paluajtshme rezidenciale dhe tregtare.

Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj i ftuar në “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj nënvizoi se “sektori imobilar është kryesori për pastrimin e parave dhe deri më sot ka qarkulluar miliarda euro të padeklaruara”.

Për të argumentuar këtë deklaratë ai u ndal te disa të dhëna.

“Mjafton vetëm të shikohen të ardhurat mesatare. Interesat e kredive më të larta se në vendet e Evropës. Kërkesa për të blerë në treg imobilar është shumë e madhe. 42 mijë apartamente në Tiranë të pashitura”, tha Danaj.

Nisma e Bankës së Shqipërisë sipas ekspertit Danaj do të sjellë ulje të çmimeve të apartamenteve.

“Impaktin e parë do duket sikur do ketë penalizim social. Kjo do ndikojë në uljen e çmimeve të apartamenteve. Ata që do duan të marrin kredi nuk do arrijnë dot për shkak të çmimeve dhe do të ngelen stok. Ata që kanë dy ose tre banesa do t'i shesin ato dhe kur nuk ka se kush t’i blejë do ulen çmimet.

Paraja e padeklaruar mund të vazhdojë edhe tja rrisë jetëgjatësinë këtij sektori në dy vite por nëse shteti bën hetim për burimin e parave të çdokujt që blen një banesë apo që ka makinë luksoze me diferencë në krahasim me të ardhura, kjo do ndryshojë.”

Sipas bankës kjo rregullore ndihmon në parandalimin e rreziqeve që mund të vijnë nga goditje të papritura që mund të dobësonin fuqinë paguese të bizneseve apo qytetarëve që kanë marrë kredi. Ekspozimi i bankave duke dhënë shumë kredi për sektorin e pasurive të paluajtshme mund të kufizohet nga banka e Shqipërisë nëse bie fuqia paguese e qytetarëve ose e bizneseve.