Megjithatë, ekonomia shqiptare vazhdon të operojë ende poshtë potencialit, çka vijon të frenojë presionet për rritje të pagave dhe të kostove të prodhimit. Potenciali më i lartë i rritjes ekonomike lidhet sidomos me akumulimin e kapitalit të ri fizik në vitet e fundit. Siç dihet, që nga viti 2014 e në vazhdim, rritja e ekonomisë shqiptare është mbështetur kryesisht në zgjerimin e investimeve. Rolin kryesor e kanë pasur disa projekte madhore të investimeve të huaja, që kanë sjellë një formim në rritje të kapitalit fiks për disa vite me radhë.
Vlerësimi i ri për rritjen potenciale ka sjellë edhe një ndryshim në projeksionet për rritjen ekonomike dhe kthimin e inflacionit më objektiv. Por një potencial rritjeje më i lartë do të bëjë që ekonomisë t’i duhet më shumë kohë për të arritur këtë rritje potenciale. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo pritet të ndodhë në vitin 2019. Raporti i politikës monetare thekson se aktiviteti ekonomik në vend është përmirësuar, i ndikuar nga një ambient i jashtëm i favorshëm, nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, nga rritja e punësimit si dhe nga kushte më të mira financimi në vend. Nga ana tjetër, presionet inflacioniste janë të zbehta dhe inflacioni shënoi rënie.
Rritja ekonomike e tremujorit të dytë rezultoi më e lartë se pritjet e Bankës së Shqipërisë, ndërsa inflacioni i tremujorit të tretë rezultoi më i ulët. Inflacioni mesatar i tremujorit të tretë zbriti në nivelin e 1.7%, kundrejt nivelit 2% në tremujorin paraardhës. Ngadalësimi i tij pasqyron rënien e inflacionit të ushqimeve, si pasojë e rritjes së ofertës vendase, mbiçmimin e kursit të këmbimit dhe ngadalësimin e inflacionit në tregjet e huaja. Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni mesatar vjetor i vitit 2017 do të jetë rreth nivelit 2%. Në horizontin afatmesëm, Banka e Shqipërisë pret një rritje të qëndrueshme të ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda 6 muajve të parë të vitit 2019.
Banesat
Tregu ngelet në një fazë kur blerja e banesave është ende e leverdisshme. Çmimet paraqiten në rënie, ndërsa interesat e financimit bankar janë në nivelet më të ulëta historike. Rrjedhimisht, blerja e banesës mund të jetë një investim i mirë për të ardhmen.
Banka e Shqipërisë ka konfirmuar rënien e çmimit të banesave në treg, tendencë kjo e shfaqur në pjesën e parë të vitit, megjithëse ritmi i rënies në tremujorin e tretë ka qenë më i ulët sesa periudha janar-qershor 2017. Raporti i Politikës Monetare për tremujorin e tretë të këtij viti nënvizon se rënia vjetore e indeksit të çmimit të banesave ishte 2.8%, krahasuar me 5.9% dhe 11.5% në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit.
Tremujori i tretë i vitit ka shënuar një pikë kthese për indeksin tjetër që lidhet me qiratë e banesave. Ky i fundit ka qenë në rritje për katër tremujorë rresht por që për korrik-shtator ka regjistruar rënie me 5.3 për qind. Zhvillimet më të fundit në çmimet e tregut të banesave e kanë afruar raportin e çmimeve ndaj qirasë me mesataren afatgjatë të dhjetë viteve të fundit, thekson raporti.
Redaksia Online
D.T/Shqiptaja.com










