“Integriteti i prokurimeve publike pas kësaj periudhe ka rënë në një mesatare 70 përqind. Ka rënë me 10 pikë dhe jo vetëm kaq, por në vitin 2026, kjo rënie është në 66 pikë, është një rënie prej 14 pikësh. Një rënie dramatike.”

Kjo deklaratë e bërë nga Sali Berisha në konferencën për shtyp nga selia blu, solli reagimin e menjëhershëm të Kryeministrit Edi Rama, i cili i hodhi poshtë akuzat se integriteti i prokurimeve publike ka pësuar rënie.

“Një budalla hodhi në gurë në lumë”, shkruajti Rama, duke pyetur se si është e mundur që Shqipëria të ketë pësuar rënie, kur për herë të parë është përfshirë në portalin e Gjykatës Evropiane të Llogarive, të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, dhe rezultatet e renditën vendin tonë shumë më mirë se shumë vende të familjes Europiane. Kryeministri Rama shkruan se sot Shqipëria vlerësohet si asnjëherë më parë në fushën e prokurimeve dhe se me ndihmën e Diellës do të renditemi në nivelin më të lartë europian.

“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie! Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten.

 Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”, shkruan Rama.

Në një konferencë për mediat ditën e djeshme, ku prezantoi gjetjet Gjykatës Evropiane të Llogarive, Rama tha se Shqipëria është lider në rajon për ligjshmërinë në prokurimet publike.

Postimi i kryeministrit Rama