/ATSH/- Në tre muajt e parë të këtij viti, rezulton se 41,1 % e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë angazhuar në sektorin e bujqësisë, 22,6 % punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut, si tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automobilave, hotelet dhe restorantet, transportet, magazinimi dhe komunikacioni, ndërmjetësimi monetar dhe financiar, pasuritë e patundshme dhe në industrinë përpunuese 9 % e të punësuarve gjithsej.

Nga 3-mujori i 4-t 2014 deri në 3-mujorin e parë 2015, ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve arriti 3 % në sektorin e shërbimeve jo të tregut, 2,4 % në bujqësi, 1,9 % në aktivitetet e industrisë nxjerrëse në energji, gaz dhe furnizimi me ujë.

Shënoi rënie me 2,3% numri i të punësuarve në ndërtim, në industrinë përpunuese 5,3 % dhe 0,8 % në sektorin e shërbimeve të tregut.
Në terma vjetorë, në 3-mujorin e parë 2015 punësimi u rrit 10,6 %, krahasuar me tremujorin e parë 2014.

Rritje më të madhe vjetore në punësim patën sektorët ndërtim me 21,7 %, në shërbime jo të tregut 12 %, shërbime të tregut 9 %, industri përpunuese 11 % dhe në bujqësi 9,9 %. Në terma vjetorë punësimi pësoi rënie me 3,4 % vetëm në grupet e industrinë nxjerrëse, energjisë, gazit dhe furnizimit me ujë.