Një dokumentar në Netflix të lë pa fjalë për një periudhë të jetës së mistikut indian Rajneesh, Osho (1931-1990), në Shtetet e Bashkuaratë Amerikës. Si djallin mundet që një nga qëniet njerëzore më të ndriçuara të shekullit të kaluar, babai i cituar dhe i pacituar i të gjithë filozofëve e psikologëve të ditëve tona, të bënte atë çmenduri që realizoi në vitet ’80 në një Ranch (fermë) amerikane në shkretëtirën e Oregonit: Mijëra ndjekës të veshur me një të njëtën ngjyrë, portokalli në të kuqe, të izoluar nga pjesa tjetër e botës, kërcënues e konfliktualë me autoktonët e zonës sa u armatosën, bënë plane të helmonin, shpërndanë salmonelë e menduan deri të vrisnin kryeprokuronin e Oregonit, duke shkaktuar reagimin e Shtetit, përndjekjen deri në eliminimin e gjithë ashramit të tij. Si ka mundësi? Jeta e tij me pasionin për orët e floririt, pasurinë, 99 Roll Rojsat, natyra hakmarrëse ndaj tradhëtisë së Sheela-s, bashkëpunëtores më të ngushtë, do të rrënqethte dhe do të bënte të indinjohej çdo njeri. E megjithatë, përtej sharlatanit dhe figurës kontroverse, sot mbeten librat dhe mësimet e tij, gjithnjë e më të shpërndara e të lexuara në të gjithë botën që kanë ndihmuar të plotësojnë një vizion për njeriun e ri: bashkimin e individit materialist të Perëndimit, me njeriun shpirtëror të Lindjes. Harmoninë.
Charles Bukowski (1920-1994) do të ishte pijaneci, pisanjosi, perversi, vagabondi, që askush nuk do ta donte as në pallat, as në lagje, as në qytet po të mos takonte John Martin që krijimin e tij u kujdes t’ja jepte njerëzimit si një nga pasuritë më ndriçuese, me talentin më të fuqishëm që kemi njohur. Përtej Bukowskit njeri-imperfekt, mbetet vepra e tij afër hyjnores. As Bukowski dhe as Osho nuk janë të parët e as të fundit njerëz jo perfektë, madje dhe të shëmtuar, që lanë pasuri të paçmuar për njerëzimin.
Cila është ajo përmasë e papërcaktuar që bën t’i falim një gjeniu të gjitha imperfeksionet? Ndoshta e vetmja gjë është ajo që ata bëjnë, ajo që ata lenë, ajo që ata shkruajnë dhe thonë: Përmirëson, pasuron, zhvillon apo dëmton individin? Mesa duket i vetmi parim qu duhet të na udhëheqë në jetën tonë: Siç Bukowski takoi John Martin, siç miliona njerëz në botë lexojnë sot Oshon, pyetja është e njëjtë: nga leximi i tyre, përmirësohem apo bëhem njeri më i keq dhe më i prapambetur? Jeta e tyre është për t’u flakur, por puna e tyre, ngrihet në piedestal si pasuri botërore. Kjo na ndihmon dhe ne mikrokozmin tone.