Ata refuzojnë masën e kompensimit që i është caktuar me vendim qeverie dhe deklarojnë se nuk do të lirojnë banesat pa u strehuar më parë. Rreth 200 banorë të Stacionit të Trenit kanë refuzuar me forcë daljen nga banesat. Përplajsa ka arritur kulmin në momentin kur fadromat kanë mbërritur pranë shtëpive të tyre.
Policia tentoi të shoqërojë njërin prej banorëve, por familjarët dhe fqinjët e tij i'u sulën policisë për ta ndaluar.
“Jemi autoktonë tiranas, të vijën këtu të hipotekojnë e t’i thonë e gëzoni shtëpinë që keni vjedhur, e ne që jemi autoktonë dem baba dem të na nxjerrin, të vijë këtu të na shpronësojë, të na marrë shtëpi. të na gjejnë shtëpi të futemi brenda. Donte votat kryetari i bashkisë tani duhet të përgjigjet për popullin. E merr tjetrin zvarrë e fut në furgon,” shprehet një nga banorët.
Ndërsa të tjerë thonë se kompensimet që kanë marrë, janë shumë të ulta në krahasim me vlerën e tregut. Situata ka qenë shumë e rënduar, ku një pjesë e banorëve, burra dhe gra janë parë duke qarë me frikën se do të mbeten pa shtëpi.
Një kryefamiljar është shoqëruar në polici pas rezistencës ndaj policisë, ndërkohë që në banesën e tij policia ka nisur të nxjerrë jashtë orenditë shtëpiake. Po ashtu pranë banorëve mësohet se ka mbërritur dhe një autoambulancë.
Banorët e zonës thanë se u duket qesharak dëmshpërblimi prej 265 mijë lekë për metër katror për banesat dhe 179 mijë lekë për bizneset.
Nga gjurma e projektit të Bulevardit të Ri që duhet të përfundojë në 2017, preken 200 objekte.
Fondi prej 12.5 milion lekëve dhe masa kompensimit janë përcaktuar me vendim nga qeveria Berisha dhe propozim të kryebashkiakut Basha.
Edhe më herët banorët kanë protestuar për këtë kauzë.
Ndërsa më pas fadromat kanë prishur dhe godinën e ish Stacionit të Trenit.