SOFJE, 25 nëntor /ATSH-BTA/ - Forcat bullgare të sigurisë kryen operacione bastisjeje në shumë zona të pjesës juglindore të Bullgarisë duke përfshirë edhe një xhami.
"Qëllimi i operacioneve policore janë aleatët e grupit ekstremist të ISIS-it", njoftoi agjencia zyrtare bullgare e lajmeve, BTA.
Televizioni shtetëror bullgar ka transmetuar një incizim ku shihet sesi policia arreston Ahmed Musa Ahmed, imamin e xhamisë në Pazarxhik, i cili disa herë është akuzuar për përhapje të ideologjisë radikale.
Ahmed është i kombësisë rome dhe në muajin mars të këtij viti është dënuar me një vit burg për shkak të promovimit të ideologjisë radikale në periudhën prej muajit mars të vitit 2008 deri në tetor të vitit 2010.
Ai është dënuar edhe me tre vjet burg për shkak të shkeljes së dënimit të kushtëzuar, në të cilën paraprakisht ishte dënuar për shkak të përhapjes së islamit radikal, por mbeti në liri deri te zgjidhja e ankesës së aktgjykimit.
Media bullgare lajmëroi edhe se janë arrestuar të paktën katër anëtarë të bashkësisë myslimane në Pazarxhik. Bastisje janë kryer edhe në 40 adresa në Pazarxhik, Plovdiv, Smoljam, Asenovgrad dhe në Haskovë./ a.jor.










