Një 53-vjeçar ka humbur jetën në Bulqizë, pasi dyshohet se është sulmuar dhe kafshuar nga një ari.

Ngjarja u bë e ditur rreth orës 14:10, kur Spitali i Bulqizës njoftoi policinë se familjarët e shtetasit me inicialet U.F. kishin kërkuar ndihmë mjekësore për të.

Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje, ku konstatuan se 53-vjeçari kishte ndërruar jetë. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.

 Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.