BULQIZE - Pesëdhjetë vjeçari Jonuz Nela është viktima e radhës në minierat nxjerrjes së kromit në Bulqizë që ndodhen në pronësi të kompanisë Alb Chrome.

Orët e para të mëngjesit të sotëm ai ka rënë aksidentalisht në tunelin e ashensorit. Për pasojë ai ka rënë nga një lartësi prej rreth 160 metrash, çka i ka shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

50-vjeçari që punonte në pozicionin e sinjalistit, prej 20 vitesh do të futej në ashensor për shkuar në thellësinë e minierës, por ashensori nuk ndodhej në sipërfaqe duke bërë që Nela të rrëzohet në gropën e ashensorit. 

Trupi i tij i pajetë përfundoi mbi ashensorin që ndodhej në thellësi. Të parët që morën vesh për ngjarjen e rëndë ishin kolegët e tij, që më ndihmën e ashensorit e ngritën sipër trupin e pajetë të 50-vjeçarit, që i shtohet listës së gjatë të minatorëve që kanë humbur jetën në galeritë e nëntokës.

Në vendngjarje mbërritën grupi hetimor dhe punonjësit e Inspektoratit të Punës, të cilët nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit.

Ndërkohë lidhur më këtë ngjarje ka reaguar nëpërmjet një deklaratë për shtyp edhe kompania Alb Chrome.

Një njoftim thuhet se: Mëngjesin e sotëm në minierën e Bulqizës nga ana e punonjësve të sektorit të pompimit në pusin A2 u gjet pa jetë trupi I, Jonuz Nela, sinjalist pranë kësaj miniere. Kjo hapësirë e minierës shërben për të lidhur nivelin e 9-të me nivelin 5-të, përdoret për nxjerrjen e ujërave dhe është një zonë ku ndalohet hyrja e punonjësve që nuk janë të autorizuar. Distanca maksimale midis nivelit 9 deri në fund të pusit A2 është 160 metra. Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar policia ashtu edhe RISHM për të ofruar ekspertizën e nevojshme dhe për të verifikuar situatën.
 
Aktualisht po pritet që të dalë një vendim i ekspertëve mbi atë që mund të ketë ndodhur në minierë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)