TIRANE - Kryediplomati shqiptar, Aldo Bumçi zhvilloi takim kortezie me Ambasadorin e Shtetit të Palestinës në Tiranë, Issam Massalha.

Ambasadori palestinez e informoi Ministrin Bumçi mbi gatishmërinë e autoriteteve të larta palestineze për të rifilluar procesin e bisedimeve për paqen ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

Bumçi konfirmoi qëndrimin e Qeverisë shqiptare për një zgjidhje të qëndrueshme ndërmjet dy shteteve. Ai theksoi se palët duhet të përfitojnë nga angazhimi ndërkombëtar për rifillimin e bisedimeve dhe të kapin momentin për arritjen e një zgjidhjeje në të mirën e popullit palestinez dhe të popullit izraelit.

Ministri Bumçi zhvilloi një takim kortezie edhe me Ambasadorin e austriak Raunig. Pas urimit për detyrën ai i përcolli Ministrit Bumçi vlerësimet për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Bumçi vlerësi mbështetjen e vazhdueshme që Austria ka dhënë në këtë drejtim. Ai u ndal në ecurinë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe dhe vlerësoi rritjen e bashkëpunimit dypalësh me Austrinë me praninë e palës austriake me investime në projekte të rëndësishme, në fusha me interes.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)