Bum spektatoresh në stadiumet e Serisë A në ndeshjet e para të këtij sezoni. Të dhënat më të fundit nga Liga e futbollit sa i përket mesatares së tifozëve në stadiume rregjistrojnë të dhëna pozitive. Pas 9 javësh mesatarja e tifozëve për një ndeshje është 27.134, më e madhe se mesatarja e sezonit të shkuar që ishte 25.500. Në mënyrë të veçantë buzëqesh “San Siro” pasi Interi dhe Milani janë në krye të këtij klasifikimi të veçantë.
Mesatarja e rregjistruar në këto 9 javë të para të këtij sezoni është më e larta që nga koha kur kampionati italian është me 20 ekipe. Sa i përket skuadrave komandon Interi me një mesatare 64.271 tifozë për ndeshje në stadiumin e tij “San Siro”. Ndjek Milani me një mesatare prej 56.050 tifozë për ndeshje dhe më pas vjen Juventusi me 39.651 tifozë për ndeshje.
Renditja e dhjetë vendeve të para vijon me Romën, Fiorentinën dhe Napolin ndërsa këtë klasifikim e mbyll Sassuolo që në ndeshjet në shtëpinë e saj ndiqet nga mesatarisht 10.521 spektatorë për ndeshje. Ndërkaq sonte Interi përballet në stadiumin “Rigamonti” me Brescian ku një fitore e ngjit përkohësisht në kryesim./Përgatiti Andi Kapxhiu