Bumçi: Direktiva e fshehtë e qeverisë
të faturohen sa më shumë qytetarët

Bumçi: Direktiva e fshehtë e qeverisë<br />të faturohen sa më shumë qytetarët
TIRANE- Në prononcimin e tij për mediat, deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi ka deklaruar se ka mësuar nga “burime serioze” brenda kompanisë CEZ “se shqiptarët do të duhen të përgatiten për një dimër shumë të vështirë, do të paguajnë fatura më të larta dhe aforfe të energjisë elektrike, do të paguajnë për konsum më të lartë të energjisë, edhe pse nuk kanë konsumuar atë”. Gjithashtu Bushati u shpreh se do të jetë shume vështirë për qytetarët të ankohen apo të apelojnë pasi ky “komplot”, i zbardhur nga partia e tij, është direktivë e vetë qeverisë.
 
Në deklaratën e tij për shtyp, deputeti Bumçi, zbardhi dhe një sër “manovrash” dhe urdhrash politik që, sipas tij, punonjësit e OSHEE do të zbatojnë në faturimin e pa drejtë ndaj qytetarëve dhe biznesit shqiptar. Dhe në rast ankimi nga këta të fundit, urdhri qeveritar, gjithmonë sipas Bumçit, për punonjësit është “sorollatja”.
 
Në fund të deklaratës, deputeti Bumçi ka rikujtuar ato që institucioni që përfaqëson i cilëson si falje të 500 milionë euro fatura të pranuara dhe të papaguara, dëme deri në 3 miliardë dollarë edhe pagimin e 95 milionë eurove të tjera, “atyre që vodhën dhe masakruan sistemin e energjisë elektrike”.
 
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi.
 

Marrëveshja e maxhorancës me kompaninë CEZ iu servir opinionit publik si kamerdarja e shpëtimit të sistemit elektroenergjetik.
 
Kryeministri dhe ministrat e tij bënë “be dhe rrufe” se kjo marrëveshje bënte që sot e tutje, punët në sektorin strategjik të energjisë të ecnin si mos më mirë.
 
E vërteta është krejt ndryshe.
 
Burime serioze nga kompania lajmërojnë se shqiptarët do të duhen të përgatiten për një dimër shumë të vështirë, do të paguajnë fatura më të larta dhe aforfe të energjisë elektrike, do të paguajnë për konsum më të lartë të energjisë, edhe pse nuk kanë konsumuar atë dhe do të jetë shumë e vështirë të ankimohen, edhe pse mund të kenë të drejtë të apelojnë. Kjo është direktiva e qeverisë.
 
Punonjësit e CEZ, sot me emrin OSHEE, kanë marrë urdhra politikë nga lart që të mos faturojnë më pak se 200 kw/orë në fshat, edhe pse banorët e fshatit përgjithësisht shpenzojnë mjaft më pak, të mos faturojnë më pak se 200 KW/orë në ato banesa, në fshat edhe në qytet, ku nuk banon njeri, dhe ku sipas tarifave të miratuara nga ERE, duhet paguar vetëm 340 leke/muaj.
 
Për biznesmenët e vegjël vijnë “surpriza” të tjera. Pavarësisht llojit të biznesit, mikro apo të vogël, sezonal apo jo, biznesi nuk do të paguajë më pak se 500 kw/orë, pavarësisht sa i lexon matësi.
 
Për të gjithë ju qytetarë që doni të ankoheni, përgatituni të mos ju dëgjojë askush në sportelet e kompanisë, sepse urdhri është që t’ju sorollatin, mos t’ju lënë të bëni asnjë ankimim, edhe pse jeni plotësisht në të drejtën tuaj. Por ajo që i vë damkën menaxhimit rilindësit ish-CEZ, është fakti se nëse vula e matësit tuaj dëmtohet, qoftë edhe pa dijeninë tuaj, familjarët do të faturohen me 800 KW/orë, dhe bizneset me 1500KW/orë. Një abuzim i turpshëm ky!
 
Me pak fjalë, OSHEE e sotme të kujton plotësisht CEZ-in e djeshëm!
 
Këto udhëzime politike janë dhënë pikërisht nga ata që dhanë urdhër të nënshkruhet marrëveshja me CEZ, edhe pse pa transparencë, fshehtazi dhe në dëm të interesave të shqiptareve. Jo vetëm që s’kanë ndryshuar asgjë me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, por për të mbajtur në këmbë kompaninë e OSHEE, ish-CEZ-in, të gjithë ne do të duhet të paguajmë për kokë 1.1 milionë lekë.
 
Jemi i vetmi vend që kemi falur 500 milionë euro fatura të pranuara dhe të papaguara, dëme deri në 3 miliardë usd, dhe sikur të gjitha këto mos ishin mjaftueshëm, do të paguajmë edhe 95 milionë euro të tjera, atyre që vodhën dhe masakruan sistemin e energjisë elektrike.
 
E pra, kjo marrëveshje ka krijuar një grope kaq të frikshme sa që rilindësit e ish-CEZ, sot OSHEE, do të ngarkojnë në kurrizin e çdo qytetari, të të gjithë konsumatorëve të energjisë, fatura aforfe, fatura më të larta, energji më të lartë dhe shërbim gjithmonë e më të mangët.
 
Kjo është e vërteta e marrëveshjes së kësaj qeverie, e cila e ka zgjedhur të kënaqë kompaninë që dje vodhi Shqipërinë dhe shqiptarët në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Ersekë/ Humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga, plagoset shoferi dhe pasagjerja

Ersekë/ Humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga, plagoset shoferi dhe pasagjerja