Bumçi: Le të ngrihen hotele dhe
restorante te monumentet me qira

Bumçi: Le të ngrihen hotele dhe <br />restorante te monumentet me qira
E kanë quajtur përvojë të dështuar përpjekjen për të imituar shembujt nga vendet e tjera të botës dhe që Monumentet e Kulturës të shërbehen me hotele dhe restorante, jo vetëm deputetët e Partisë Socialiste, por edhe dy nga deputetët e Partisë Demokratike, Mark Marku dhe Raimoda Bulku. Dje në Seancën Dëgjimore të Ministrit të TKRS-së, Aldo Bumçi, për privatizimin dhe dhënien me qira të monumenteve të kulturës, pasi drejtuesja e kësaj seance Valentina Leskaj u jep fjalën deputetëve, kanë nisur replikat, menjëherë pas çdo përgjigjeje të ministrit Bumçi. Replikat e çdo deputeti shprehnin shqetësimin nëse e garantojnë projektet financiare private restaurimin e monumenteve. "A ka ligje e rregulla që të mos bëhet tjetërsim i objektit të shpallur Monument Kulture?" dhe në vargun e këtyre pyetjeve kanë nisur të dalin në dritë edhe problematikat e një vendimi të tillë: nëse do të jetë e mundur të shihet interesi nga këndvështrimi i biznesit dhe a do të jetë shërbejë kjo nismë qeveritare për përfitime të biznesit nga monumentet apo bizneset do të shërbejnë për ruajtjen e tyre. Ministri Aldo Bumçi është vënë përballë përgjegjësive, dilemave dhe replikave që kanë ndezur deri në fund një debat shumë të ashpër, ndërsa deputetët kanë vijuar me pyetjet: "A ka një strategji?; Sa monumente do të jepni, sa do të shpëtoni?" Ndërkohë ministri i TKRS është vënë përballë pikëpyetjeve të ngritura nga të gjithë njëzëri: "Kjo dhënie monumentesh, duke qenë praktikë e dështuar, çfarë na garanton shteti? Disa nga pyetjet më të mprehta që kanë ndezur edhe më shumë rrethin e debateve kanë qenë ajo që ngriti deputeti i PS-së z. Fidel Ylli, i cili i ka shtruar një pyetje konkrete Bumçit "Sa leje për hotele e restorante janë dhënë?" dhe cilat janë kriteret që ka MTKRS-ja dhe cilat janë kontrollet, ndërsa ka shtuar në këto pyetje edhe "se çfarë masash ka marrë kjo ministri për bizneset që kanë devijuar nga projekti". Deputeti i PD-së Mark Marku ka paraqitur një nga pyetjet më problematike për zbatimet konkrete të derisotme të dhënies me qira të monumenteve: "Në çfarë raporti jepen objekte me qira për një sistem shërbimesh si objekt kulturore pa e dëmtuar destinacionin e objektit?." Duke përmendur mes fakteve të devijimit të tyre edhe rastin e Kalasë së Petrelës, deputeti Marku tha se "ajo nuk është më një kala, por është lokal-restorant". Ndërsa Bumçi ka miratuar që monumentet e Kulturës t'u jepen privatëve dhe le të ngrenë hotele e restorante, janë ndezur debate të ashpra me deputetët. Deputetët e PS-së, Fatmir Toçi e Fidel Ylli, janë shprehur se "dhënia e monumenteve privatëve është akt kriminal". Ndërsa drejtuesja e seancës, Valentina Leskaj, nuk ka qenë kundër, por tha se "nuk kemi modelin dhe ligjin", etj

ALDO BUMÇI: JA SI DO TI JAPIM MONUMENTET ME QERA
Nuk e kemi gati një listë publike monumentesh, por jemi për Rijetëzimin. Bizneset private nëse nuk gjenerojnë të ardhura do largohen nga monumenti", ka deklaruar dje ministri Bumçi. Duke konsideruar si thelbin e këtij projekti kontratën që lidhet, Bumçi është shprehur edhe për nisjen e aktivitetit për dhëniet me qira të monumenteve të kulturës. "Qiratë do jepen njëvjeçare dhe kështu do t'i kontrollojmë duke dërguar në terren drejtorët e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë e rrethe", tha ai. Ndërkohë, duke bërë publike shumat financiare që lidhen me strategjitë e ruajtjes së Monumenteve të Kulturës, Bumçi deklaroi fondet e dhëna: "Janë dhënë 477 milionë e 740 mijë lekë të reja për monumente e kulturës. Nga këto vetëm këtë vit janë dhënë 341 milion lekë të reja më shumë", tha ai ku shtoi se donatorët kanë dhënë një shumë akoma më të madhe "1 miliard e 560 milion lekë të reja". Duke pretenduar se shërbimet janë thelbi i zhvillimit të parqeve arkeologjike, Bumçi i njësoj këto parqe me vendet e pushimit, kur tha "le të pushojnë dhe të parkojnë mjete, turistët nuk do të ecin në këmbë." Ndërsa u shpreh se, që ndërhyrja të rikthejnë identitetin, duhet të bëhen sondazhe më parë nga arkeologët. Ai tha se i janë caktuar 345 milionë lekë të reja Institutit të Monumenteve të Kulturës për specialistë dhe restaurues, që të kryejnë këtë punë. Ministri Bumçi për çështjen e privatizimit të monumenteve tha se janë dërguar letra në vendet me përvojë për të marrë modele nga shtetet e tjera si Spanja, Holanda, Skocia, etj. Edhe pse kjo përvojë nuk është vjelë ende, ai u ka thënë po hoteleve e restoranteve nëpër monumente, madje edhe parkingjeve të makinave. Ndërsa ka pohuar se ka shumë vende si Austria, Skocia Franca, që kanë dhënë kështjellat në pronësi private, ai ka shtuar se "ne po dërgojmë letra këtyre vendeve për të marrë përvojën". Bumçi ka përmendur Ligjin ekzistues të për shfrytëzimin e objekteve monument kulture (9048, dt.7.4.2003 - Për Trashëgiminë Kulturore), për të cilin tha se "parashikon shumë qartë se monumente e kategorisë së parë dhe të dytë në qendrat historike asambletë muze mund të shfrytëzohen edhe për funksione të tjera që nuk cenojnë vlerat e tyre. "Aty mund të vendosen institucione shetërore ose private, si muze, biblioteka, atelie monumentesh, fototeka, galeri artesh dhe ekspozita të ndryshme". Bumçi përmendi nenin 39 duke cituar që "Monumentet e kulturës mund të rijetëzohen për qëllime administrative dhe social-kulturore, me kusht që funksioni i ri të mos dëmtojë vlerën e monumentit. Kushtet dhe kriteret paraprake të rijetëzimit dhe të shfrytëzimit të monumenteve të kulturës miratohen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës." Ai ka vijuar të citojë edhe nenin tjetër duke cituar se: "Në çdo rast, shfrytëzimi i monumenteve të kulturës bëhet vetëm pasi të jetë marrë miratimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve për lidhjen e kontratës së shfrytëzimit ndërmjet palëve."
Si mund të eksitojë baza ligjore, kur bëhet fjalë për një përvojë të re?
Megjithëse kjo është absurde, Sipas Bumçit baza ligjore ekziston që në vitin 2003. Ai përmendi praktikat me Kalanë e Lëkurësit dhe të Petrelës, të cilat janë dhënë me një kontratë afatgjatë 10- vjeçare. "Rastet e tjera kemi kontratë njëvjeçare të rinovueshme si bar restorant në Kalanë e Shkodrës që aktualisht është ndërprerë kontrata. Kemi Bar-Galeri në Torën Veneciane në Durrës, bar restorant në Kalanë e Prezës, bra restorant në Apoloni, në parkun arkeologjik. Në mjediset e kalasë së Gjirokastrës që nuk është në funksion në vite e fundit ka në kalanë e Tepelenës dhe ka një kërkesë për dhënien e me kontratë e Bar Tores juglindore në Kalanë Elbasanit. Drejtoritë rajonale të kryejnë kontrolle dhe të shohin gjendjen", tha Bumçi ndërsa për rastet flagrante të keqpërdorjes së Kalasë së Lëkursit e të Petrelës ai tha se "janë praktika të 2000-s".

GENT STRAZIMIRI- BUMÇIT: "MOS PRANO REPLIKAT E DEPUTETËVE"

Pas replikave ministri Bumçi është përpjekur të falënderojë deputetët duke vlerësuar frymën me të cilën është diskutuar çështja: "Mendoj se mbizotëroj një frymë konsultive pavarësisht shqetësimeve se veç një deklarate të vetme të gjitha çështjet nga deputetët e dy krahëve janë legjitime". Ndërkohë deputeti Gent Strazimiri i kthehet Ministrit Bumçi, "ore çfarë po thua." Bumçi vijon të flasë se "Ta godasësh nismën që në themele në parim dhe një gjë ta pranosh dhe ta diskutosh me detaje sesi ajo kontrollohet e para është e gabuar dhe nuk mund të godite sepse përkrah një përvojë ndërkombëtare dhe shqiptare dhe kjo nismë të hedh hapat e sigurt patjetër ka vend për diskutim dhe mirëpres frymën që zotëron", duke shtuar se ishte i gatshëm për më marrë nga diskutimet më të mirën për këtë kontratë. "Ne do vazhdojmë vullnetin e mirë për marrë çdo gjë pozitive, nuk do dalim nga kjo frymë, por ju kujtojë se ata që i kanë dhënë nuk mund të kritikojmë ne për ato që kanë dhënë vetë", tha ministri Bumçi.

FATMIR TOÇI E FIDEL YLLI:PROJEKTI I FRIKSHËM, KRIMINAL
Kemi dy dekada shkatërrimesh me Monumentet e Kulturës. Projekti i dhënies së monumenteve privatëve është absurd dhe i frikshëm. Kjo do të thotë që të lihen në dorë të interesave të privatëve. Interesa që do të çojnë në dëmtime fatale të monumenteve. Asnjë prej privatëve që do të shkojë në to pa krevate, pa kuzhina dhe pa lugë. Mos të bëhet si në Kalanë e Tepelenës që është privatizuar edhe porta e kalasë. Mania për të shitur po na shkatërron identitetin", tha Fatmir Toçi i revoltuar nga deputeti i PD-së Edi Paloka që "keqpërdori lëvizjen e shoqatës civile". Ministri Bumçi replikën me deputetin Toçi. "Ta quash të rrezikshme nuk jam dakord. Kjo është kontrata që ka firmosur Rama në vitin 2000 për Lëkursin. Në qoftë se Zoti Rama ka bërë diçka të frikshme dhe të rrezikshme, deputetët e nderuar të PS-së nuk kanë bërë diçka më shumë për të ndaluar këto kontrata dhe të shkojnë të bëjnë protesta te Partia Socialiste.... Petrela dhe Lëkursi nuk janë dhënë nga kjo mazhorancë, por nga mazhoranca e kaluar, vetë i kanë dhënë vetë i kundërshtojnë". Deputeti i PS-së Fidel Ylli thotë: "Mos akuzoni kot Ramën. Kriteret e vëna në kontratë kanë devijuar nga projekti. Nuk është Rama fajtor. Është zbatimi kriminal i atij që ka dhënë projektin. Ne i kundërshtojmë kriteret që ka dalë nga projekti. Kjo është fryma e debatit. Ne jemi pro për dhënien privatëve, por nuk duhet të dalim nga projekti." Ndërsa deputeti Toçi vijon të argumentojë se "Kjo përvojë e zbatuar në 20 vjet, nuk është vetëm e frikshme, por është kriminale, por dënojini ata që kanë abuzuar dhe mos ngatërroni Zotin Rama. Jemi mbledhur këtu për ta zgjedhur ose jo këtë përvojë". Bumçi përgjigjet se "Nuk mendoj se gjithçka se është e dështuar. Këto Janë praktika të vendeve të tjera. Mbi përvojën e huaj mund të ndërtojmë një praktikë shumë të shëndetshme. Toçi i kundërvihet idesë së ministrit Bumçi: "Kjo që po bëni është vërtetë e frikshme. Mos u ngatërroni me shembujt e Spanjës. Objektet monumente të Spanjës janë private që nga Mesjeta. Dhe absolutisht nuk di që një objekt i vjetër arkeologjik të jepet me qira. Nuk ndodh kjo në Greqi. Ajo që thoni ju në Spanjë nuk ndodh. Përvoja e kalave nëse ka qenë negative dhe ka devijuar nga kontrata të ndiqet deri në fund për të gjetur përgjegjësin. Por, zoti ministër kjo do një bazë ligjore. Kjo do një nismë të veçantë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen dhe restaurimin e kësaj pasurie ligjore", tha deputeti Toçi.

VALENTINA LESKAJ: NUK JAM KUNDËR, POR S’KEMI MODELIN DHE LIGJIN
Zoti Bumçi nuk është askush kundër nismës, por duhet të shohim si zbatohet ajo. Duhet të ndahen mirë gjërat. Të bëhen restorante me qofte apo të ringjallet trashëgimia kulturore. Jetëzimi duhet të jetë cilësor. Askush nuk është nga deputetë nuk është shprehur kundër nismës as kundër partneritetit publik privat, përkundrazi thelbi i debatit të bërë nga deputetë të partisë socialiste dhe thelbi ka të bëjë me modelin, pra kush do të jetë modeli dhe cila është zbatueshmëria ligjore e këtij modeli dhe sa i takon modelit shqetësimi ynë i parë vjen për faktin se kush merrte në të vërtetë. Do marrin prioritet trashëgimia kulturore apo restorante me qofte. Ky është shqetësimi jonë, dhe e dyta është cilësia e realizmit të kësaj nisme sepse po ju them se në qoftë se do ët hidhet beton, padyshim që trashëgimia kulturore merr fund. Ne jemi për dy gjëra të jetëzohen, por jetëzimi të jetë një shërbim që i shërben monumentit dhe jo restorantit dhe jetëzimi ët jetë një jetëzim i fortë. Dhe unë dua së tregojë se do t'i referohem ligjit sepse zoti ministër ju lexuat një pjesë të ligjit, por nuk lexuat një pjesë që kishin të bënin me objekte që mund të përfshihen brenda kësaj nisme. Në ligjin për trashëgiminë kulturore thuhet qartë që mund të vendosen ën kohë institucionet shtetërore ose muze biblioteka atelie monumentesh galeri artesh ose ekspozita ët ndryshme, në fakt këtu nuk ka vend për restorante, ky është shqetësimi jonë dhe tjetri ka të bëjë me kapacitete monitoruese ju ë përmendët rastin e Elbasanit dhe thatë që drejtoria rajonale e kulturës do të merret me monitorimin dhe të njëjtën gjë thatë që do bëjnë drejtoritë në rajonet dhe vendet e tjera. A kanë kapacitet drejtoritë rajonale kur flasin për objekte të trashëgimisë kulturore të cilat kanë një vlerë shumë të rëndësishme dhe që kërkojnë kapacitete. Ky problem është që kemi ngritur në raport me këtë nismë sa janë kapacitetet monitoruese. Të gjitha këto bashkë duan afate kohore, sepse afate kohore që janë dhënë nuk të japin mundësinë e rikthimit mbrapa. Pra, ne nuk jemi shprehur kundër rijetëzimit, nuk jemi shprehur kundër partneritetit privat, përkundrazi jemi të shqetësuar për këto gjëra që po na shqetësojnë".

PAULINA HOXHA: PRIVATIZIM NGA MALAZEZËT? JO FLAMURIT TË TYRE NË ROZAFË
Pasi ka dëgjuar me vëmendje të gjitha pyetje dhe replikat, i vetmi shqetësim që ka ngritur deputetja e Shkodrës Paulina Hoxha ishte: "A ekziston mundësia që një kompani malazeze të marrë Kalanë e Rozafës në Shkodër?". Ministri Bumçi i përgjigjet me "Po" duke shtuar se do t'u jepen me qira disa monumente të huajve. E pyetur nga Shqiptarja.com se pse ajo ka pyetur pikërisht nëse e privatizon një kompani malazeze Rozafën, tha se "Pyetja ime ishte si një shqetësim për të gjithë monumentet e kulturës dhe unë u nisa nga fakti i ndjeshmërisë që kam edhe si historiane, por edhe si banore e Shkodrës për vetë historinë e dhimbshme të Shkodrës, për të cilën gjithmonë ka pasur pretendime pronësie. U nisa nga edhe nga kurioziteti sesi mund të ekzistojë mundësia që një kompani e huaj të vijë e ta pushtojë. Mora një rast të tillë si shembull, sepse meqë Mali i Zi është shumë afër, nuk di si do të më duket sikur Flamuri i Malit të Zi të vendoset në Kalanë e Shkodrës. Do të ishte një trishtim për mua..."

EDI PALOKA: FORUMI I MONUMENTEVE PRET PUSHTETIN QË T'I MARRIN VETË
Paloka ngrihet kundër Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë që protestoi këto ditë në Lezhë. "Ata që kërkojnë mbrojtje janë ish- drejtorë të korruptuar. Paloka nuk përmend emra ndërsa në vend që të formulojë pyetjen e radhës, ai i drejtohet Bumçit me këto fjalë: "Zoti ministër unë jam në dijeni të iniciativës që ka marrë qeveria për dhënien monumenteve dhe për qarkun ku unë jam deputet, bën pjesë e dhe Kalaja e Lezhës. Debati për këtë iniciativë të qeverisë ka përfunduar në një grup të ashtuquajtur Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, i cili përbëhet kryesisht nga një zyrtar i lartë i partisë dhe qeverisë socialiste, ish- drejtori i Trashëgimisë Kulturore dhe zëvendësministër i akuzuar në atë kohë nga ajo qeveri, jo nga ne, për trafikim antikash nga Vlora; një tjetër ish-drejtor i IM-së që ka firmosur me dorën e tij shndërrimin e dy kalave të atëhershme Lëkursin dhe Petrelën është autori i projekteve nga ish-drejtori i Monumenteve dhe një ish-kadet ushtrie i vetëshpallur studiues, që i është drejtuar frontit të zbulimeve arkeologjike; një ish-drejtoreshë që ka punuar me zotin Yllin Pango, etj. Në bazë të atij ligji janë bërë të gjitha këto dhe janë firmosur nga këta njerëz që erdhën deri këtu dhe bëjnë rolin e të shqetësuarve. Pyes nëse ata mendojnë për trashëgiminë apo janë thjesht pjesë e luftës politike që këto kala në rast marrje pushteti t'i marrin po ata siç i kanë marrë dikur?".

RAIMONDA BULKU TË MOS BËHET SI ME PETRELËN, VJEN ERA GJELLË
Mendimit të deputetit Mark Marku për Kalanë e Petrelës, pasi foli për denigrimin e destinacionit nga bizneset, i është bashkuar edhe deputetja e PD-së Raimonda Bulku. "Kemi dëgjuar grupet e interesit. S'duam të shkatërrohet ajo që është autentike. Është bërë gabim me Petrelën. Atje bie gjellë..., sa e kontrolluar është kontrata", pyeti deputetja Bulku duke komentuar se "Në Petrelë nuk është më ajo shija e Kalasë së motmotit. Ishte një restorant, u hap dhe një tjetër. Atje është kthyer në kuzhinë, ku shkohet vetëm për të ngrënë. Muret e saj tashmë bien era gjellë". Ndërsa deputeti Mark Marku tha se "Në Petrelë është ndërhyrë edhe tek muret antike. Janë bërë mure me çimento." Ai tërhoqi vëmendjen nëse e ndjen këtë përgjegjësi MTKRS-ja, duke përmendur edhe rastin e Durrësit, ku tha se "në Durrës Vangjushi ka betonuar trashëgiminë".
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, Ali Ahmeti: Kemi siguruar 19 mandate

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, Ali Ahmeti: Kemi siguruar 19 mandate