Bumi i ndërtimeve rrit besimin në ekonomi, BSH: Optimizmi u rrit me 4.6 pike gjatë 3-mujorit të parë 2019

Bumi i ndërtimeve rrit besimin në ekonomi, BSH: Optimizmi u rrit me 4.6 pike gjatë 3-mujorit të parë 2019

Bumi i sektorit të ndërtimit si në objekte të reja ashtu edhe në kontratat e porosisë e ka rritur indeksin e besimit në ekonomi përtej mesatares historike në tremujorin e parë 2019 edhe pse degët e tjera të ekonomisë, mbeten dobët.

Banka e Shqipërisë raportoi sot se treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me 4.6 pikë gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, duke shënuar vlerën 106.5.

Ky nivel i TNE-së mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë. Përmirësimi i treguesit i atribuohet kryesisht rritjes së besimit në sektorin e ndërtimit dhe besimit konsumator. Besimi u përmirësua edhe në sektorin e tregtisë, e paralelisht me të u rrit lehtësisht në sektorin e shërbimeve. Në të njëjtin tremujor, besimi në sektorin e industrisë shënoi rënie.

Industria me rënie

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) shënoi rënie me 0.7 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë. Megjithatë, TBI-ja vijon të mbetet mbi mesataren historike, me 5.4 pikë përqindje.

Dinamika rënëse e treguesit pasqyroi përkeqësimin e dy prej balancave formuese të tij, kontratat porositëse (me 8.8 pikë përqindje) dhe gjendja e inventarëve2 (me 0.8 pikë përqindje). Balanca tjetër përbërëse e TBI-së, prodhimi, shënoi një rritje me 7.4 pikë përqindje, rritje e cila nuk arriti të balancojë efektin rënës nga dy komponentët e tjerë të treguesit.

Rënie shënuan edhe balanca të tjera të vrojtimit si: kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e prodhimit dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm. Për sa i takon gjendjes financiare dhe normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ato rezultuan të përmirësuara në tremujorin në analizë. Më konkretisht, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth mesatares 77.1%, duke u rritur me 1.3 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kjo normë rezulton 2.7 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë dhe 4.6 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.

Ndërtimi, rritje historike e besimit

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) u rrit me 8.0 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë, duke u zhvendosur mbi mesataren historike të tij. Dinamika e TBN-së u ndikua nga rritja e të dy balancave përbërëse të treguesit, aktivitetit ndërtues me 9.3 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 6.7 pikë përqindje.

Edhe balancat e tjera të vrojtimit si: gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për të në të ardhmen, shënuan rritje në tremujorin e parë. Këtë dinamikë ndoqi edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve, e cila u rrit si në terma tremujorë me 3.6 pikë përqindje, ashtu edhe në terma vjetorë me 4.0 pikë përqindje. Kjo normë e shfrytëzimit të kapaciteteve rreth 66.4%, qëndron 2.7 pikë përqindje mbi mesataren historike të treguesit.

Shërbimet, në vendumëro

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) shënoi një rritje të lehtë me 0.3 pikë përqindje në tremujorin e parë, duke ndërprerë dinamikën rënëse të ndjekur prej një viti. Treguesi qëndron 4.3 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi i TBSH-së i atribuohet vetëm njërit prej komponentëve të tij formues, balancës së kërkesës, të përmirësuar me 1.0 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e TBSH-së, ecuria e biznesit, shënoi rënie me 0.4 pikë përqindje. Dinamika rënëse shfaqën edhe balancat e tjera të vrojtimit si: pritjet për kërkesën në tremujorin e ardhshëm, punësimi, pritjet për të në tremujorin e ardhshëm dhe gjendja financiare. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo rezultoi rreth 78.9%, 7.9 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar në tremujorin e mëparshëm. Kjo normë qëndron mbi nivelin e shënuar në të njëjtën periudhë një vit më parë dhe ndjeshëm mbi mesataren historike.

Tregtia me rënie

Edhe treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) ndërpreu prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm, duke u rritur me 4.0 pikë përqindje gjatë tremujorit në analizë. Megjithatë, treguesi mbetet nën mesataren historike.

Në përmirësimin e TBT-së kontribuuan të dy balancat përbërëse të tij, ecuria e biznesit dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, të cilat u rritën me përkatësisht 4.2 dhe 3.8 pikë përqindje. Rritje shënoi edhe balanca e punësimit në tremujorin në analizë. Ndërkohë, balanca të tjera të vrojtimit, si: gjendja financiare dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm; ranë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Lidhur me normën e shfrytëzimit të kapaciteteve, me gjithë rënien tremujore prej 4.0 pikësh përqindjeje, ajo qëndron rreth 1.3 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar në të njëjtën periudhë një vit më parë. Megjithatë, niveli i rezultuar i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve rreth 71.2% në tremujorin e parë mbetet nën mesataren historike.

Konsumatorët optimiste, përmirësohen blerjet e mëdha

Treguesi i besimit konsumator (TBK) u rrit me 3.2 pikë përqindje në tremujorin e parë, duke qëndruar mbi mesataren historike të tij për të dytin tremujor radhazi.

Përmirësimi i mëtejshëm i besimit konsumator reflektoi rritjen e të katër balancave formuese të tij: blerjet e mëdha me 5.9 pikë përqindje; situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend me 2.8 pikë përqindje; situata e të ardhurave dhe shpenzimeve me 2.6 pikë përqindje; dhe situata financiare e pritur e familjes me 1.7 pikë përqindje. /Monitor

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fredi: 08/04/2019 12:26

    30 vjet ndertime ultra të shëmtuar me psikologji hauri perderisa 90% e popusise shqiptare eshte nga katundi, që masakruan republiken me shemtirllek nga Konispoli në Vermosh. Kjo mu teri duhet hedhur poshte e pastruar, dhe jo të perkrahet e të legalizohet! Poshtë ndertim shëmtira e ulët neandërtale!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër