Bunk’art, rikthehet përsëri si një
destinacion turistik në Tiranë

Bunk’art, rikthehet përsëri si një<br />destinacion turistik në Tiranë
Bunk’art është rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes në Shqipëri, pasi ky objekt që i përket të shkuarës komuniste përsëri është hapur për turistët, si dhe vizitorët vendas. Tirana edhe këtë sezon turistik ka një tjetër destinacion shtesë, Bunk’Art, ish-vendstrehimi antibërthamor që shërbente si vendkomandë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare ndërtuar nga qeveria komuniste katër dekada më parë. Anadolu Agency (AA) ka vizituar këtë objekt, që gjendet në periferi të Tiranës, në zonën e njohur si Shish-Tufinë, të kthyer tashmë në muzeal, ku iu është dhënë për administrim një organizate joqeveritare. Në një prononcim për AA, Eva Haxhi, përfaqësuesja e qendrës që menaxhon këtë objekt shprehet se për Bunk’art shfaqin interes si qytetarët vendas, ashtu edhe të huajt që vijnë nga vende të ndryshme. “Ky bunker është ndërtuar gjatë kohës së komunizmit, ndërsa janë dashur disa vite për ta përfunduar së ndërtuari derisa u inaugurua në vitin 1978.

Për herë të parë për publikun është hapur në vitin 2014 duke qëndruar i hapur për dy muaj, nëntor-dhjetor. Për rreth dy muaj ka patur më shumë se 60 mijë vizitorë, ku imperesionet e tyre kanë qenë nga më të ndryshmet. Këtë vit Bunk’art është hapur përsëri për publikun dhe kemi 3 javë që presim vizitorët, ku ka shumë interes si nga shqiptarët ashtu edhe nga të huajt. Ne kemi punuar edhe me disa agjenci që kanë sjellë grupe turistësh të huaj. Shkollat tashmë e propozojnë Bunk’art-in si një pikë për të realizuar ekskursionet e tyre”, shprehet Haxhi. Ndërkohë që gjatë muajt prill, Bunk’Art ka filluar të vizitohet nga turistët e huaj, por nuk mungojnë edhe kureshtarët brenda vendit, nxënësit e shkollave, apo edhe nostalgjikët e sistemit komunist.

Xhorxhi ka ardhur nga Austria si turist në Shqipëri dhe për AA ai tregon se kishte dëgjuar për këtë bunker dhe dëshironte ta vizitonte. Ai shprehet se ka vizituar edhe vende të tjera në Europë, ndërsa e ka patur kureshtje të shikojë edhe këtë objekt të kthyer në atraksion turistik, ku e konsideron si shumë tërheqës për të huajt. Edhe Signa Krista është një turiste e huaj e cila e viziton për herë të parë këtë objekt. “Unë jam nga Austria. Është shume impresionuese ta shikosh këtë objekt të kompletuar”, shprehet ajo për AA.

Historiku
Pas hapjes fillestare me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të vendit në vitin 2014, Bunk’Art vjen më i plotë me informacione, materiale dhe dëshmi të asaj periudhe historike, ku synohet që të kthehet në një pikë turistike unikale në rajon. Ky objekt përfundoi së ndërtuari nga sistemi komunist në vitin 1978 , ndërsa në të gjendet dhoma që ishte e planifikuar të përdorej nga sh-diktatori Enver Hoxha dhe dhoma për ish-kryeministrin e kohës, Mehmet Shehu. Bunk’Art sot është i ndarë në disa hapësira muzeale, si muzeu i ndërlidhjes ushtarake, muzeu i telekomunikacionit, batalionit mbështetës, dhoma e shefit të shtabit, dhoma e oficerit,etj. Gjatë regjimit komunist ky bunker është emërtuar si “Objekti 0774”.

Në shumë nga ambientet e bunkerit janë ekspozuar armatime, uniforma, dokumente, harta të ndryshme dhe sende të tjera që shërbenin në atë kohë. Objekti është në pesë nivele (kate) dhe ka mbi 106 dhoma, mes tyre ajo e ish-diktatorit Enver Hoxha dhe e ish- kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu, një sallë të madhe mbledhjesh që ishte parashikuar edhe si sallë për Kuvendin e Popullor të asaj periudhe, etj. Në Shqipëri gjatë regjimit komunist u ndërtua një rrjet i gjerë i bunkerëve në të gjithë Shqipërinë. Në një intervistë për AA, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, pati deklaruar se në Shqipëri janë ndërtuar gjithsej rreth 168.000 qendra zjarri (bunkerë), deri në vitin 1982, pasi pas këtij viti bie ritmi i ndërtimit të tyre. Kjo shifër sipas ish-presidentit përfshin çfarë kanë qenë ndërtime fortifikuese në Shqipëri, duke i përfshirë që nga Lufta e Parë Botërore, periudha e mbretit Zog, periudha e pushtimi nazi-fashist, e sidomos gjatë regjimit komunist, por bunkerët ndryshojnë nga periudha në periudhë.




Redaksia online
A.N Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Garda ndaloi deputetët e PD-së të hyjnë, Spiropali i falenderon

Garda ndaloi deputetët e PD-së të hyjnë, Spiropali i falenderon