Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një lidhje live nga Kuvendi për emisionin 'Frontline' me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, tha se në mbledhjen e grupit të PS nuk kishte marrë kritika për qëndrimet e tij kundër Reformës Territoriale.
Sipas Braçes, është paradoks që qëndrimet e tij gjykohen të drejta brenda Grupit të PS, ndërsa vota e tij në Kuvend duhet të përputhet me vendimmarrjen e Grupit.
"Jo për qëndrimet që kam pasur, sepse qëndrimet janë vlerësuar të drejta gjatë mbledhjes së Grupit të PS, madje edhe ato që kam mbajtur ditën e hënë në mbledhjen tjetër të Grupit të PS, por për votën, jo për qëndrimet. Ky është paradoksi më i madh, edhe deformimi më i madh. Që nëse argumentat apo qëndrimet e mbështetura në argumenta gjehen të drejta dhe të rëndësishme për të bërë gjënë e duhur me pushtetin vendor, vota pastaj duhet të jetë sipas një shumice që krijohet brenda Grupit të PS", tha Braçe.
Braçe shtoi më tej se ndiente keqardhje që Reforma Territoriale që do të votohej sot në Parlament nuk është e plotë.
"Keqardhjen më të madhe e kam që ky është një shans i humbur për të bërë gjënë e duhur. E thashë edhe në mbledhjen e Grupit që do të ishte krejt normale që reforma të ishte e plotë nga A te ZH. Ne duhet të mos miratonim sot vetëm një hartë, por një reformë të qënësishme të gjithë pushtetit vendor, që duhet të ketë në fokus mirëqeverisjen në këtë nivel të pushtetit. Koha është gjëja më me vlerë që ne kemi. Njerëzit e çmojnë kohën dhe koha e tyre duhet të ishte shqetësimi ynë", shtoi Braçe.
Deputeti Braçe tha se ka një përpjekje shumë të madhe për të hequr logon e PS-së nga emri i tij, por shtoi se nuk do ia jepte askujt atë kënaqësi, pa e sqaruar më tej deklaratën e tij.
Për Braçen, nuk ka rëndësi mënyra sesi ai do të votojë në Kuvend, por fatet e njerëzve për të cilët sot po merren këto vendime.
"Unë e kam hapur derën e PS që në vitin 1991. Nuk kam pritur as 1996-ën, as 1997-ën. Ka një përpjekje shumë të madhe për të hequr logon e PS nga emri im, por nuk do ja jap këtë kënaqësi asnjërit. S'ka pikë rëndësie kjo gjë, sesi votoj unë, apo cili është fati im nesër. Fatet personale nuk kanë asnjë lloj rëndësie, para fateve të njerëzve për të cilët po marrim vendime", shtoi Braçe.
Në përfundim Braçe tha se s'po e kundërshtonte reformën për protagonizëm individual, duke thënë me ironi se do të kishte më shumë qejt të shikonte golat e Messit, sesa të bënte këtë gjë.
Për Braçen, Reforma Territoriale që pritet të votohet i ka shkelur parimet dhe sipas tij, nevojitet më pak përqëndrim pushteti te Qeveria qendrore.
"Sot do kisha qejfin më të mirë të rishikoja edhe njëherë golat e Messit, sesa të bëhem protagonist në këtë formë. Ata që i artikulojnë dhe për cilindo tjetër që i dëgjon këto marrëzira. Të thuash që duhet reformë dhe kjo të vlerësohet dhe të thuhet 'po ke të drejtë' dhe pastaj të thuash 'ça është ky, protagonizëm individual', kjo është banale. Nuk përgjigjem unë për numërimet. Ka në Parlament që bëjnë numërimet, herë si bari, herë si thupër. Unë merrem me atë që është thelbësore dhe që ka përmbajtje. O do merremi me përmbajtjen, ose do merremi me numrat. Me kolegët e PS kam thënë që do ishte krejt e arsyeshme që të kemi një reformë të plotë.
Ne nuk e dimë se cili do të jetë statusi i qytetit. Duhet të kishim një trajektore të qartë se ku nisim dhe ku do të shkojmë. Gjë që nuk e kemi. Unë mendoj se pas kësaj reforme do të mblidhemi shumë më shpejt se para 5 viteve. Reformat nuk i mbajnë hartat, por parimet. Parimet nuk janë zbatuar në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin. Mundësia politike është tani, sepse ne mbështetemi vetëm te mundësia politike dhe te votat që ka shumica në Kuvend. Problem është përqëndrimi i madh i pushtetit. Qeveria mban me stoicizëm edhe emërimin e veterinerëve", përfundoi Braçe.
Deputeti Partisë Socialiste Ermal Pacaj ka deklaruar se opozita nuk ka qenë aspak bashkëpunuese në lidhje me çështjen e reformës territoriale. I ftuar në 'Frontline' Pacaj tha propozimi për 46 bashki nga 61 nuk ka dalë nga PS. Sipas tij kjo gjë ka ardhur nga raportet e bëra nga dëgjesat.
“Kemi pasur një ditë mjaft dinamike sa i përket reformës. Opozita nuk ka dhnënë asnjë lloj kontributi. Propozimi me 46 bashki nga 61, nuk ka dalë nga PS por nga raportet e realizuara nga dëgjesat e komisionve. Kjo është vetëm faza e para. Me tu miratuar do të jemi gati për ngritjen e reformës territoriale. Kjo hartë të jetë gati për zgjedhjet e 2027-ës. Shqipëria është kandidat për BE dhe bashkitë tona duhet ti përgjigjen një dinamike të një vendi që është anëtër i BE”, tha Pacaj.
Ai shtoi se reforma territoriale nuk është çështje e ngutshme pasi ka pasur të gjitha fazat e veta.
“Opozita nuk është bashkëpunuese, e kemi pritur 9 muaj rresht. Brenda javës tjetër do të krijohet komisoni për ligjin 139. Kjo nismë ligjore u nis së bashku me PD. Për të gjitha nismat ligjore Kuvendi ka vepruar. Reforma territoriale nuk është çështje ngutje, ka pasur fazat e veta”, tha Pacaj.
Ndërkohë Indrit Sefa, avokat, tha se duhet më shumë kohë që edhe qytetarët të kuptojnë se çfarë përmban kjo reformë.
“I vetmi ndryshim në qark është se Rinasi do t’i kalojë Tiranës. Do një kohë më të gjatë për tu kuptuar nga qytearët. Asnjë nga këta të reformës nuk kanë dalë në studio për të folir për territorialen”, tha ai.
Aulon Kalaja se PS po grabit territoret, duke sjellë shembullin e Rinasit.
“Ju keni grabitur Rinasin nga Kruja, pa pyetur qytetarët. Rinasi nuk është njësi administrative, është fshat. Kush jeni ju që i grabisni territoret. Kjo është grabitje e pastër, do i merrni bashkisë së Krujës 10% të buxhetit’, tha ai.




Komente
Komento