TIRANE- Drejtimi i grupeve kriminale në linjat e drogës, prostitucionit dhe dhënia e urdhërave për vrasje nga qelitë e burgut, është bërë shkak që ministria e Drejtësisë të hartojë një ligj të ri, që synon të parandalojë kontaktet e të dënuarve me personat e jashtëm.

Ligji është në diskutim e sipër, dhe nëse do të miratohet në parlament, do sjellë “shtrëngimin e rripit” për të dënuarit që mbajnë kontakte me kontigjentë kriminalë, të cilët ndodhen në liri. Cilido person i dënuar që vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë, dhe që gjatë kësaj kohe mban kontakte me persona me procedentë penalë, futet në izolim deri në një vit, duke u pezulluar nga të gjitha të drejtat e tjera që mund të kenë të dënuarit në burg. Gjatë izolimit, i dënuari do ketë vetëm një takim 10 minutësh në muaj me familjarët e tij, duke ju hequr e drejta për takim të çdo javshëm ose në dy javë.

Në këtë periudhë të dënuarit do i kontrollohet korrespodenca e letrave, do i kufizohet koha e ajrimit dhe nuk mund të jetë gjatë kësaj kohe me persona të tjerë, duke i hequr të drejtën dhe të komunikimit me të dënuarit e tjerë. Një tjetër kusht që pritet të vendoset nga ministria e Drejtësisë ka të bëjë dhe me kufizimin telefonatave, vetëm një në muaj me familjarët dhe kjo mund të rregjistrohet.

Projektligji parashikon që çdo vendim i tillë që fut në izolim të dënuarin merret nga ministri dhe ky vendim mund të ankimohet vetëm në gjykatën Administrative. Këto ndryshime janë konsultuar me ministrin e Brendshëm Tahiri, kryeprokurin Llalla, avokatin e Popullit Totozani dhe përfaqësues të shoqërisë civile

Tahiri njofton Naçon
Me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço mund të vendosë pezullimin e një të dënuari në institucion ose në një pjesë të tij, aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë. Pezullimi, ose futja në izolim nga të dënurit e tjerë përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion si dhe për të parandaluar lidhjet me jashtë të të dënuarve për këto vepra penale.

Në të tilla raste, masa mund të zgjasë deri në një vit dhe mund të zgjatet në mënyrë të njëjtë për një periudhë të mëtejshme një vjeçare, kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë. Një rregullim i tillë është vlerësuar i nevojshëm për rastet e veprave penale që lidhen me terrorizmin apo me krimin  e organizuar, ku kontrolli i lidhjeve me jashtë të të dënuarit është i domosdoshëm për parandalimin e veprave të tjera penale. Një parashikim i tillë është marrë nga modeli italian.

Masat që ndërmeren
Kështu, të dënuarit që i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm kufizohen brenda institucionit në qeli të posaçme, të ndarë nga pjesa tjetër e të dënuarve dhe ndaj tyre zbatohen masat e më poshtme: Masa të sigurisë së lartë të brendshme dhe të jashtme, kryesisht në lidhje me nevoja për të parandaluar kontaktet me të dënuarit e tjerë, lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë apo me persona me precedentë penalë. Lejimin e një takimi në muaj, në interval kohor të përcaktuar, në ambiente që nuk lejojnë kalimin apo dhënien e sendeve gjatë takimit.

Lejimin e takimeve vetëm me familjarë, me përjashtim rë rrethanave të jashtëzakonshme, kur njoftimi është bërë më parë dhe me miratimin e drejtorit të institucionit. Lejimin e një bisede mujore telefonike me familjarët apo bëshkëjetuesin, me kohëzgjatej maksimale dhjetë minuta, e cila mund të regjistrohet. Kufizim në sendet që mund të marrë nga jashtë, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme të institucionit. Kontroll i korrespondencës, përveç asaj me subjektet e përcaktuar në nenin 43 të këtij ligji.

Kufizimi i kohës së shpenzuar jashtë, e cila nuk mund të kryhet në grupe prej më shumë se katër personash, nën mbikëqyrje të posaçme, për të siguruar pamundësinë absolute të komunikimit midis të burgosurve. Rregullimet e mësipërme për takimet nuk do të zbatohen për avokatin e të dënuarit, takimet me të cilin mund të bëhen deri në tre herë në javë. Dispozita parashikon që ndaj  Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë për pezullimin e regjimit normal të trajtimit të të dënuarit, mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni brenda 10 ditëve. Ankimi nuk pezullon zbatimin e regjimit të posaçëm.

Të burgosurit të punojnë
Nga ana tjetër, projektligji parashikon një trajtim që synon rehabilitimin social për riintegrimin e të dënuarve në jetën familjare, sociale dhe ekonomike, përmes përfshirjes në legjislacionin shqiptar të burgjeve me regjim tëhapur. Kështu, kalimi i të dënuarve që përmbushin kriteret ligjore në këto institucione, do të shërbejë si një fazë parapërgatitore për çastin e lirimit të tyre. Përgatitja për riintegrim në burgjet me regjim të hapur lehtëson më pas jetën në liri.

Ky ndryshim propozohet pasi burgjet zbatojnë programe të rehabilitimit social, që synojnë modifikimin e sjelljeve kriminale dhe aftësimin me shprehi sociale. Një burg i hapur është një institucion penitenciar në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimeter sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut. Ndërkohë që vuajnë dënimin e tyre të burgosurit kanë të drejtë të punojnë. Regjimi i burgjeve të hapura i përgjigjet një sërë problematikave që kanë të bëjnë me të dënuarit dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si: Efikasiteti, Moderniteti, Ekonomizimi. Respektimi i të drejtave të njeriut, Integrimi territorial, Lufta kundër mbipopullimit.

Nga burgu në punë nga puna në burg
Ideja është që i burgosuri del nga IEVP në mëngjes dhe shkon në vendin e punës së tij. Pas përfundimit të punës, ai menjëherë do të kthehet në institucion dhe të mbetet aty deri në mëngjesin tjetër, në qoftë se ai nuk ka leje ose pushime. Në institucion, të burgosurit mund të marrin pjesë në aktivitete të kohës së lirë, të zhvillojnë aktivitete sportive dhe të përfitojnë në trajtimin e ofruar atje.

Shumicën e fundjavave i burgosuri mund t`i kalojë me familjen e tij. Të burgosurve në një burg me regjim të hapur sigurisht që do t`u duhet t`i përmbahen në mënyrë strikte rregullave të specifikuara. Konsumi i alkoolit ose kthimi me vonesë mund të çojë zhvendosjen e të burgosuritnë burgje të mbyllura.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Korrik 2015

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)