Burim nga ushtria ukrainase: Kemi humbur mbi 40% të territorit të pushtuar rus në Kursk

Burim nga ushtria ukrainase: Kemi humbur mbi 40% të territorit të pushtuar rus në Kursk

Kursk

Ukraina ka humbur mbi 40 për qind të territorit në rajonin rus të Kurskut, të cilin e pushtoi gjatë një sulmi të papritur në muajin gusht. Humbja e territorit vjen pas një vale sulmesh dhe kundërsulmesh të ushtrisë ruse, tha një burim i lartë ushtarak ukrainas për agjencinë e lajmeve Reuters.

Burimi, i cili punon në Shtabin e Përgjithshëm të Ukrainës, tha se Rusia kishte dislokuar 59,000 trupa në rajonin e Kurskut që kur forcat e Kievit hynë dhe përparuan me shpejtësi, duke e kapur Moskën të papërgatitur rreth dy vjet e gjysmë pas sulmit në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.

“Ne kontrollonim një territor me një sipërfaqe prej rreth 1376 kilometra katrorë, që tani është ngushtuar. Armiku po shton kundërsulmet e tij", tha burimi. "Aktualisht kontrollojmë një territor prej afërsisht 800 kilometra katrorë. Ne do ta mbajmë këtë territor për aq kohë sa të jetë e përshtatshme nga pikëpamja ushtarake".

Me hyrjen në Kursk, Kievi synoi të frenonte sulmet ruse në pjesët lindore dhe verilindore të Ukrainës, të detyronte Rusinë që të tërhiqte forcat që po përparonin gradualisht në lindje dhe t'i jepte Kievit një “armë” shtesë në negociatat e mundshme të paqes në të ardhmen.

Por forcat ruse po vazhdojnë të përparojnë në rajonin Donetsk, në lindje të Ukrainës.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy është shprehur se beson se objektivat kryesore të Presidentit Vladimir Putin kanë qenë pushtimi i plotë i Donbasit, i cili përbëhet nga rajonet Donetsk dhe Luhansk, dhe largimi i trupave ukrainase nga rajoni i Kurskut.

"Për Putinin, gjëja më e rëndësishme është të na detyrojë të largohemi nga rajoni i Kurskut. Jam i sigurt se ai dëshiron të na largojë deri më 20 janar", tha Presidenti Zelenskiy për mediat, duke iu referuar kohës kur Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara do të marrë detyrën. “Është shumë e rëndësishme për të (Putinin) që të tregojë se e ka situatën nën kontroll”.

Burimi nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës përsëriti se rreth 11,000 trupa të Koresë së Veriut ishin dislokuar në rajonin e Kurskut në mbështetje të Rusisë, por se pjesa më e madhe e tyre po përfundonin fazën e stërtvitjes.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për të komentuar. Reuters nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat apo citimet e zyrtarit ukrainas.

Rusia, e cila ka nën kontroll një të pestën e Ukrainës, nuk e ka konfirmuar apo mohuar praninë e forcave të Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut.


PËRPARIMI RUS NË UKRAINËN LINDORE

Burimi nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se aktualisht rajoni Kurakhove është më në rrezik, pasi forcat ruse po përparonin dhe kishin arritur të depërtonin në disa zona. Marrja e qytetit Krakhove nënkupton përparimin e forcave ruse drejt qendrës logjistike Pokrovsk, në rajonin e Doneskut.

Rusia ka aktualisht afro 575,000 trupa që luftojnë në Ukrainë, tha burimi, dhe synon të rrisë numrin e forcave në rreth 690,000.

Rusia nuk i bën publike të dhënat për numrin e forcave në luftime. Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi t’i verifikonte këto shifra./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari