Pas përfundimit të sesionit parlamentar, kryetari i partisë Socialiste Edi Rama do të mbledhje asamblenë Kombëtare të PS-së, të mërkurën në orën 17:30.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se mbledhja do të zhvillohet në mjediset e Xibrakut. Mbledhja e Asamblesë së PS-së vjen fill pas disa zhvillimeve të vrullshme brenda kësaj familjes politike kohët e fundit si dhe pas fitores së thellë të zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Në radhët e qeverisjes socialiste pati ndryshme në Ministrinë e Brendshme. Taulant Balla u emërua si ministër i Brendshëm, pasi Bledi Çuçi u shkarkuar nga detyra.

Shkarkimi i tij nga posti i ministrit të Brendshëm, post të cilin e mbante prej 2 vitesh e gjysmë, erdhi pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Fushë-Krujë, ku anëtarë të fisit Rraja (mes tyre djali dhe vëllai i ish-deputetit të PS-së Rrahaman Rraja) dhunuan dy anëtarë të fisit Maja të cilët u ankuan për guroren e tyre.

Balla mbante edhe postin e kryetarit të Grupit parlamentar të PS-së! Mbetet për tu parë nëse në mbledhjen e Asamblesë socialiste do të ketë vendimmarrje për sa i takon ndryshimeve në kabinetin qeveritar.