Në kuadër të fushatës së rekrutimeve për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, zhvilloi një bashkëbisedim me maturantët e gjimnazeve “Pjetër Budi” dhe “28 Nëntori” në qytetin e Burrelit.

Synimi i aktivitetit ishte sensibilizimi dhe informimi i të rinjve në lidhje me rekrutimin dhe të qenit pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në bashkëbisedimin e zhvilluar me gjimnazistët, ministrja Kodheli përmendi angazhimet aktuale brenda dhe jashtë vendit të Forcave të Armatosura, të cilat i konsideroi si një familje e madhe, e cila ka vend për çdolloj profesioni.

Ministrja Kodheli tha se kjo është një trevë që ka nxjerrë ushtarakë të zotë e që mbahen mend, dhe t’i bashkohesh FA-ve është mënyra më e drejtpërdrejtë për t’i shërbyer atdheut.

Ajo gjithashtu u foli për mundësitë që iu ofrohen të rinjve për studime jashtë vendit, ku ushtarakët tanë kanë një reputacion për t’u lavdëruar.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të maturantëve, ministrja Kodheli foli për avantazhet që ka një i ri apo e re që arrin të bëhet pjesë e FA dhe arsyet pse duhet t’i bashkohen.

Ajo nuk la pa përmendur karrierën e bazuar në meritokraci, mundësitë e trajnimeve dhe studimeve jashtë shtetit si dhe kujdesin shëndetësor falas jo vetëm për ushtarakët por edhe për familjet e tyre.

Ministrja Kodheli nuk hezitoi t’u shpjegojë nxënësve gjithë hapat që një i ri duhet të ndërmarrë për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura, si dhe i ftoi ata dhe mësuesit e tyre të vizitojnë nga afër mjediset e garnizonit “Skënderbej” dhe Muzeun e Forcave të Armatosura atje.

Fushata e aplikimeve për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura, ka nisur, mbyllet më datë 17 mars 2017.

[gallery]21202[/gallery]

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com