Burrel/ 2-vjeçari u ndje keq në çerdhe, babai në 'Pa Gjurmë': E gjeta të vdekur në spital! Djali s'kishte vrimë në zemër, edukatorja tha se u zgjua me të vjella

Në një intervistë për emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV babai i djalit 2 vjeç që humbi jetën në çerdhen shtetërore nr 2 në Burrel dy ditë më parë mohon që fëmija të ketë lindur me probleme në zemër, siç është raportuar në informacionet paraprake. Për gazetaren Odeta Dume, Renato Hoti, tregon se në një bisedë në telefon me edukatoren para se ta dërgonin djalin me urgjencë në spital, ajo e ka njoftuar se i biri është zgjuar nga gjumi me të vjella.

"Me edukatoren që fola unë, po më thoshte që ka qenë duke fjetur gjumë edhe është çuar nga gjumi duke vjellë. E ka marrë ajo në krahë dhe më ka treguar të vjellat në bluzë."

I prekur, babai rrëfen se kur ka shkuar në spital e ka gjetur pa shenja jete të birin, për të cilin thotë se ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

"Po, gjendja e tij shëndetësore ka qenë shumë e mirë njëherë, sepse e ka çuar nusja në 08:00 e disa minuta. Unë isha tek puna për vete, nuk kisha mundësi për ta çuar. Edhe unë kam marrë telefonatë nga drejtoresha e kopshtit nga ora 11:15, djali ka shkuar direkt në spital. Atje kur kam shkuar në spital, e kam gjetur pa jetë".

Gjatë intervistës, babai, tregoi gjithashtu se 2 vjeçari kishte ardhur në jetë si rezultat i një lindjeje të parakohshme dhe për pak kohë ka qëndruar në inkubator.

Intervista e plotë

Odeta Dume: Zoti Hoti u tha të paktën që djali ka pasur probleme, ka lindur me probleme në zemër dhe ky ishte dhe shkaku që ndërroi jetë pikërisht në 11 Shtator, ditën që u hapën çerdhet dhe shkollat.

Renato Hoti: Djali me të vërtetë ka lindur para kohe, edhe ka ndenjur në inkubator një muaj, por unë i kam bërë dy herë analiza në Tiranë me skaner, me eko zemre. Doktorët nuk më kanë thënë asgjë, prandaj kjo është një gënjeshtër e madhe.

Odeta Dume: E qartë, nga të gjitha vizitat që ju i keni bërë djalit që kur e keni sjellë në jetë, asnjëherë nuk keni mësuar nga mjekët se ai mund të kishte një problem shëndetësor të tillë.

Renato Hoti: Jo, jo!

Odeta Dume: Atë ditë e çuat në mëngjes në kopësht, si ka qenë gjendja e tij shëndetësore?

Renato Hoti: Po, gjendja e tij shëndetësore ka qenë shumë e mirë njëherë, sepse e ka çuar nusja në 08:00 e disa minuta. Unë isha tek puna për vete, nuk kisha mundësi për ta çuar. Edhe unë kam marrë telefonatë nga drejtoresha e kopshtit nga ora 11:15, djali ka shkuar direkt në spital. Atje kur kam shkuar në spital, e kam gjetur pa jetë.

Odeta Dume: Nga deklaratat që kanë dhënë edukatoret mësuat se çfarë kishte ndodhur në atë kopësht, cfarë shqetësimesh kishin parë fillimisht te djali.

Renato Hoti: Me edukatoren që fola unë, po më thoshte që ka qenë duke fjetur gjumë edhe është çuar nga gjumi duke vjellë. E ka marrë ajo në krahë dhe më ka treguar të vjellat në bluzë.

Odeta Dume: Pra atë mëngjes kur nëna e ka dërguar në kopsht, ai nuk ka pasur as temperaturë, asgjë.

Renato Hoti: Ai nuk ka pasur as temperaturë, asnjë gjë. Ka qenë shumë aktiv, shumë në rregull. Ai para  tre-katër ditësh kaloi një temperaturë, edhe i plasi një dhëmballë. Pati edhe një diarre. Për fëmijët këto janë normale, por jo se ka pasur sëmundje tjetër. Këtë në qoftë se doni ta vërtetoni mund të shkoni te doktori në Burrel, që e ka vizituar herë pas here, e ka kuruar për virozat me ndonjë shurup. Jo që ta kurojnë nga zemra, siç thonë gazetarët.

Odeta Dume: Ekspertiza mjeko-ligjore çfarë nxorri në fund? Çfarë iu thanë mjekët, cili ishte shkaku i vdekjes?

Renato Hoti: Ata e kanë bërë ekspertizën, edhe nuk kemi parë asnjë gjë jashtë normales. I ka të gjitha në rregull. Tani do presin shkaqet, por tani më thanë që vonon një muaj, një muaj e gjysëm.

Odeta Dume: Pra ende nuk ka dalë ekspertiza mjeko-ligjore?

Renato Hoti: Jo, Akoma nuk ka dalë, por parametrat fizike i kishte në rregull.

Odeta Dume: Është një ngjarje vërtetë e rëndë, unë jam prekur shumë, jo vetëm unë por besoj të gjithë janë prekur kur e kanë dëgjuar si lajm.

Renato Hoti: Tani mua po më shtohet dhimbja kur dëgjoj këto fjalët, më kupton? Po më shtohet dhimbja pa fund sepse gazetari duhet të bëj kontakt me prindin njëherë sepse prindi e njeh fëmijën.

Odeta Dume: Jeni prekur nga mediat?

Renato Hoti: Jam prekur pra sepse del njëri dhe thotë ka vrimë në zemër pa pyetur babin dhe nënën. Ku e ka marrë këtë informacion njëherë?

Odeta Dume: Unë uroj që të dalë sa më shpejt ekspertiza Zoti Hoti, të mësohet e vërteta dhe shkaku i vdekjes.

Renato Hoti: Inshallah, çuni mua më ka ikur, ekspertiza të bëhët çfarë të bëhet. S’di çfarë të them. Tani ai nuk kthehet më në jetë.

2-vjeçari ka shfaqur probleme në çerdhe dhe është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka ia ka dalë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

B.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën