Pas një rrugëtimi në festivale ndërkombëtare, filmi “Burri i shtëpisë” mbërriti në Tiranë, përballë publikut për të cilin, siç thotë edhe vetë regjisori, është krijuar kjo vepër.
“Është një ditë shumë e veçantë, shumë e lumtur për mua... premiera shqiptare është ndoshta më e rëndësishme, pasi është publiku për të cilin bëhet filmi.”, tha regjisori Andamion Murataj.
Filmi i regjisorit Andamion Murataj rrëfen historinë e Franit, një gruaje që ka zgjedhur të jetojë si burrë, duke marrë përsipër përgjegjësitë e familjes përballë normave të një shoqërie të mbështetur fort te tradita. Për të siguruar jetën e saj, për të atin në moshë dhe mbesën e vogël, Frani punon si shofer në linjën lokale që lidh fshatin me Tiranën.
Figurën e saj e sjell të gjallë, aktorja shqiptare e Maqedonisë së Veriut, Drita Kaba Karaga. Në premierën e shfaqur në Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar, aktores, iu dha në mënyrë simbolike edhe vlerësimi që ka marrë për këtë rol në Itali. Efekte.
“Shumë përshtypje më bën pjesëmarrja në Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar dhe çmimi është i vlefshëm gjithashtu. Është bukur të vlerësohesh... kënaqësi e veçantë është kur vlerësohesh nga publiku yt.”, tha aktorja Kaba Karaga.
Roli i një gruaje që merr rolin e burrit, kërkoi transformim të thellë fizik dhe psikologjik të aktores, por për regjisorin përzgjedhja e saj ishte e padiskutueshme.
“E kisha të padyshimtë që ishte një rol i shkruar për të. Është i vetmi rol për të cilin unë nuk kam bërë audicione... Drita pati një angazhim të jashtëzakonshëm gjatë xhirimeve, prerjen e flokëve, komportimin psikofizik në rolin e një burri.”, tha regjisori Murataj.
Krahas saj, në film interpreton edhe Alesia Ruçi, në rolin e Zanës, mbesës së Franit. Për aktoren e re, “Burri i shtëpisë” është filmi i parë dhe premiera shqiptare është një përjetim i veçantë.
“Ky është filmi im i parë që kam bërë. Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë... Ishte shumë emocionuese për mua. Ky ishte festivali më i bukur për mua se jepet në vendin tim.”, tha aktorja Alesia Ruçi.
“Burri i shtëpisë” është një nga filmat konkurrues në edicionin e 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar që zgjat deri më 12 shtator.











Komente
Komento