Janë pamje që dikur kishin vetëm një qëllim: të tregonin një Shqipëri të fortë, të bashkuar dhe të lumtur. Pamje të prodhuara nga vetë pushteti, për të treguar historinë sipas mënyrës së tij. Por sot, kur këto imazhe rikthehen në ekran, nuk flasin më vetëm për atë që regjimi donte të tregonte, por edhe për atë që fshihej pas tyre.

Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, mbi katër dekada të Shqipërisë komuniste rindërtohen kryesisht përmes filmimeve tw arkivave shtetwrore. Prej kwtej dhe titulli “Film di Stato”, (Filmi i shtetit), dokumentari i regjisorit Roland Sejko, i cili pas premierës botërore në Festivalin e Venecias dhe udhëtimit në festivale të ndryshme në botë është shfaqur edhe në Tiranë, jashtë konkurrimit, në edicionin e 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar.

“Është një film që e kam bërë totalisht me material arkivor. Duke i hequr zërin, spikerin, muzikën që shoqëronte dhe duke u dhënë një kolonë zanore të re, imazhet mund të sjellin edhe të kundërtën e emocioneve për të cilat ishin krijuar.”, tha regjisori Roland Sejko.

“Është një film i veçantë. Një vit më parë ishte në Venecia dhe insistova që ta sillnim në festival, në mënyrë që ata që nuk kishin pasur mundësi ta shikonin, ta kishin këtë mundësi.”, tha drejtori artistik i Festivalit tw Filmit Shqiptar, Ilir Butka.

“Unë ndodhem në Shqipëri prej disa vitesh tashmë. Një nga sektorët me të cilët kam punuar më shumë gjatë kësaj periudhe ka qenë pikërisht kinemaja. Prandaj jam shumë i lumtur që, në këtë moment të pranisë sime këtu në Shqipëri, tashmë drejt fundit të angazhimit tim, kemi mundësinë të prezantojmë këtë film, i cili ka një simbolikë shumë të fortë. Ky është një film shqiptar, i realizuar nga një regjisor me origjinë shqiptare dhe i ndërtuar edhe mbi materialet e Arkivit Italian, i cili rindërton historinë e Shqipërisë me një vështrim shumë empatik, të afërt dhe njerëzor.”, tha drejtori i Institutit Italian tw Kulturws, Alessandro Ruggera.

Filmi fillon me imazhe të vajzave dhe grave të pikëlluara, të cilat nderojnë Enver Hoxhën, i sapo ndarë nga jeta.

Më pas në ekran shfaqen ceremoni, parada, fjalime, turma, portrete të udhëheqjes, pritje dhe momente të jetës publike, që prezantojnë një Shqipëri të parë përmes kamerës së shtetit. Por Sejko nuk i sjell këto pamje thjesht si dokumente të së kaluarës. Ai i zhvesh nga zëri propagandistik, i vendos përballë një leximi tjetër.

Dhe pikërisht këtu nis filmi i dytë brenda filmit. Imazhi i propagandës mbetet i njëjtë, por kuptimi ndryshon. Një turmë nuk shihet më vetëm si dëshmi entuziazmi. Një duartrokitje nuk dëgjohet më si zë i bindjes. Një portret i udhëheqësit nuk është më vetëm simbol pushteti.

Në ritmin e ri të montazhit shfaqen çarjet e një sistemi: përsëritja, uniformiteti, pritja, heshtja, distanca mes individit dhe pushtetit. Është një Shqipëri që shfaqet edhe përmes asaj që imazhi nuk mundi ta fshehë. Por nuk mungojnë as imazhe që na sjellin momente personale të jetës  së ish diktatorit: ndërsa lahet në pishinë, shëtit me bashkëshorten e tij, Nexhmien, shkon në gjueti apo shëtit në Parkun e Liqenit.

“Film di Stato” është një udhëtim brenda një kohe kur edhe kinemaja ishte pjesë e mekanizmit të pushtetit. Por është një udhëtim që nuk kërkon t’i tregojë publikut çfarë duhet të mendojë. Përkundrazi, i lë atij hapësirën për të parë, për të kujtuar dhe për të interpretuar. Për ata që e kanë jetuar atë kohë, imazhet mund të sjellin kujtime personale. Ndërsa për brezat e rinj, ato bëhen një dritare drejt një realiteti që nuk e kanë përjetuar. 

I ndërtuar me shumë elegancë, ironi dhe zgjedhje të zgjuara dhe delikate, filmi merr një tjetër dimension: nga një arkiv i së shkuarës, shndërrohet në një pyetje për mënyrën sesi pushteti ndërton realitetin dhe sesi imazhet mund të mbijetojnë përtej tij.

Në fund, “Film di Stato” nuk është vetëm një film për Enver Hoxhën apo për katër dekadat e komunizmit. Është një film për imazhin. Për fuqinë e tij për të bindur, për të fshehur, por edhe për të dëshmuar. Sepse ato pamje që dikur u krijuan për të lavdëruar një sistem, sot mund të lexohen ndryshe. Dhe ndoshta kjo është forca më e madhe e filmit të Roland Sejkos: të mos ndryshojë historinë në ekran, por të ndryshojë mënyrën se si ne e shohim atë.