Rikthimi i Festivalit të filmit pas një mungese 14 vjeçare, duket se nuk do të mbetet një ngjarje e izoluar. Madje ideja është që të zgjerohet duke përfshirë shqiptarët jo vetëm nga rajoni por dhe diaspora.
“Do të ishte shumë mirë që në vitin e ardhshëm të jetë një event i përbashkët mbarëkombëtar bashkë me Kosovën... qoftë nga Maqedonia e Veriut, qoftë nga diaspora ose nga Mali i Zi.”, tha kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji.
NNë Kosovë, ideja shihet si një hap drejt një hapësire të përbashkët filmike. Përveç festivalit, synohet që edhe produksionet të mund të qarkullojnë më lehtë mes dy vendeve.
“Do të ishte shumë mirë që ta lidhim këtë bashkëpunim Kosovë dhe Shqipëri si një rajon i vetëm... një produksion, i cili vjen për shembull për të xhiruar në Shqipëri të mund të kalojë edhe në Kosovë dhe anasjelltas.”, tha kryetarja e Qendrës së Kinematografisë të Kosovës, Blerta Zeqiri.
Por që ky bashkëpunim të funksionojë më lehtë, një nga çështjet që kërkon zgjidhje është kuadri ligjor, që në Shqipëri nuk është i favorshëm. Gjatë një prej takimeve tematike të mbajtura në kuadër të Festivalit të Filmit u diskutua gjerësisht drafti i ligjit të ri për kinematografinë, i cili është ende në fazë debati.
“Ky ligj duhet të ndërtohet mbi bazën e një themeli i cili është autori shqiptar. Ligji duhet të garantojë prodhimin e autorit shqiptar, me të gjithë elementët e tjerë për t’i dhënë mundësinë, lirinë, buxhetin për të ndërtuar krijimtarinë e tyre.”, tha producenti Dritan Huqi.
Ligji, sipas tij, duhet të përshtatet edhe me realitetin e ri të industrisë audiovizuale. Përmbajtja shqiptare sot nuk prodhohet vetëm për kinematë, por edhe për televizionet dhe platformat online. Dhe një film, sado i mirë të jetë, nuk mjafton nëse nuk arrin te publiku.
“Mund të kemi filma të mirë, por të cilët nuk kanë fatin të distribuohen për arsye e halle të pafundme.”, tha Huqi.
Për këtë arsye, distribucioni është një nga hallkat që kërkohet të forcohet, ndërsa politikat e incentivimit shihen si një tjetër mundësi për zhvillimin e industrisë. Tërheqja e produksioneve të huaja do të sillte investime dhe më shumë angazhim për profesionistët shqiptarë.
“Nuk mund të ketë kinema dhe nuk mund të ketë zhvillim pa pasur një industri.”, vijoi Huqi.
Potencialin e Shqipërisë për të pritur produksione ndërkombëtare e sheh edhe Natan Bogin, CEO i Globa 3, i cili mori pjesë në takimin “Film Zone”.
“Në aspektin ndërkombëtar, ne jemi gjithmonë në kërkim të vendeve të reja... Shqipëria është një destinacion i ri, fleksibël dhe dinamik”., tha Bogin.
Jonid Jorgji e përshkruan momentin aktual të kinematografisë shqiptare si një pikë vendimtare, për ta kthyer këtë potencial në një industri të qëndrueshme.
“Filmi shqiptar është në lule të rinisë... Është në atë moment që po ndërton hapat kryesorë për të ardhmen e vet. Është një moment shumë deciziv.”
Sipas Jorgjit, zhvillimi i filmit nuk duhet parë vetëm si një çështje kulturore, por edhe si një mundësi ekonomike. Për këtë arsye ai vëren se nevojitet një strategji që bashkon institucionet, komunitetin e kinemasë dhe vetë shoqërinë.







Komente
Komento