Problemet e Greqisë dhe rënia e përkrahjes elektorale për kancelaren gjermane Merkel duket se e kanë çuar euron në një nivel edhe më të ulët se më parë. Valuta e përbashkët e eurozonës po këmbehet me 1.287 dollarë amerikanë në tregjet botëtore, në nivelin e saj më të ulët që prej katër muajsh.

Kjo tendencë ishte vënë në dukje që kur ka filluar të diskutohet në mjediset financiare dhe politike dalja e mundshme e Greqisë nga eurozona, në rast se qeverinë e formojnë forca antievropiane, pas zgjedhjeve të reja. Por, duket se edhe fitorja lokale e partisë socialdemokrate në Landin Rini Verior-Vestfali të Gjermanisë ditën e djeshme ka sjellë një preokupim të ri për pozitat e ardhshme të qeverisë së drejtuar nga kristiandemokratët e Angela Merkelit. Ndërkohë, të gjitha bursat botërore kanë treguar shenja të qarta nervozizmi dhe janë në ulje, duke filluar nga ajo e Athinës, që shënon minus 6% nga dita e premte.
(gk/sg/shqiptarja.com)