Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, ka folur me kujdes para sfidës së kthimit kundër Juventusit, duke theksuar se epërsia 5-2 e turqve nga ndeshja e parë e play-off-it të Champions League nuk garanton asgjë.

Në një intervistë për 'Sky Sport', tekniku turk u shpreh se skuadra e tij duhet të qëndrojë e përqendruar maksimalisht, pavarësisht fitores bindëse në përballjen e parë.

“Gjithçka është ende e hapur. Kemi fituar vetëm ndeshjen e parë. Na pret një sfidë shumë e rëndësishme dhe e vështirë në kthim. Juventusi është një ekip i fortë dhe drejtohet nga një trajner i shkëlqyer si Spalletti. Nuk jemi kualifikuar ende, kemi edhe 90 minuta për të luajtur”, deklaroi Buruk.

Galatasaray udhëton me avantazhin e tre golave, por trajneri turk nuk dëshiron ulje të ritmit.

“Ndeshja e dytë do të jetë ndryshe. Duhet të luajmë lojën tonë dhe të jemi edhe më të fortë se në takimin e parë. Nuk jemi të qetë”, theksoi ai.

Tekniku veçoi disa nga rrezikshmëritë e kundërshtarit, duke përmendur emra si Kenan Yildiz, Francisco Conceiçao dhe Jonathan David si lojtarë që mund të bëjnë diferencën.

Sa i përket gjendjes së skuadrës, Buruk konfirmoi se sulmuesi Victor Osimhen ka kaluar problemin në gju dhe është gati për të luajtur, ndërsa rotacioni i bërë në ndeshjet e fundit ka ndihmuar ekipin të ruajë freskinë fizike.

Juventusi dhe Galatasaray do përballen sot në orën 21:00 në Torino, për sfidën e kthimit në Champions League.


Lajmi kryesor:

Champions League zhvillon sot katër ndeshjet e fundit play-off, Juventusit i duhen tre gola kundër Galatasarayt! Në fushë Real Madridi, PSG e Dortmundi