Bushati: Do të gjendet rruga e duhur për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, pas takimit që pati me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry deklaroi se ka marrë mbështetjen e FBI për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Bushati tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të respektohen dhe se do të gjendet rruga e duhur për të jetësuar këtë strukturë.
"Jam i lumtur të ritheksoj mbështetjen që po marrim nga FBI përsa i përket ngritjes së Byrosë së Hetimit në Shqipëri, që është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë politit si qeveri për të bashkëpunuar me agjenci të specializuara dhe për të përfituar nga procesi të ndërtitmit të kapaciteteve administrative", tha Bushati.
"Ne jemi një demokraci kushtetuese dhe vendimet e gjykatës kushtetuese respektohen dhe besoj se ne do të gjejmë rrugën e duhur për ta jetësuar këtë strukturë, kuptohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbështetjes teknike që do të marrim nga FBI në këtë drejtim", u shpreh ministri Bushati.
Po ashtu Bushati komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Rama për Kosovën. "Nuk bëhet fjalë për një rrëshqitje në deklaratë, por bëhet fjalë për një keqinterpretimin apo nxjerrje jashtë konteksti, e cila kishte lidhje edhe me situatën paksa kritike ku ndodhet Kosova, ku perspektiva e anëtarësismit në BE po shtyhet përtej parashikimit sikundër edhe liberalizimi i vizave nuk po jetësohet. Më tepër ka qenë një qëndrim që buron prej një lloj situate frustruese që do duhet të adresohet përmes instrumentave të qartë politikë, por është me rëdësi që qeveria shqiptare ka qenë e kthjellët që rruga e Shqipërisë drejt BE dhe integrimi i shqiptarëvë kalon përmes një bashkëpunimi të ngushtë në radhë të parë me SHBA", tha Bushati.
Për Bushatin, takimi me Kerryn ishte i i rëndësishëm, ndërsa diskutimi, i ngrohtë.
Ministri tha se arritja më e madhe e këtij takimi ishte firmosja e dokumentit të partneritetit strategjik, një përpjekje e përbashkët kjo, për të bashkëpunuar në luftën kundër terrorizmit, për sigurinë në rajon, kundër ISIS dhe nisma të tjera. "Firmosëm dokumentin e partneritetit strategjik, thellojmë bashkëpunimin, është një bashkëpunim shpirtëror mes dy kombeve tona jo si mes dy përfaqësuesish shtetesh", tha Bushati.
Më tej ministri foli për rëndësinë që ka reforma në drejtësi. "Reforma në drejtësi është themelore për sundimin e së drejtës në ekonomi, për tërheqjen e investimeve të huaja si dhe për integrimin. SHBA kanë investuar jo pak në këto dy dekada, sot jam i kënaqur ta konstatoj".
Bushati foli edhe për një samit përsa i përket terrorizmit që do mbahet në Tiranë. "Do mirëpresim një samit në maj, për sa i përket fenomenit të ekstremizmit që është evident dhe global. Risia ka të bëjë me pjesëmarrjen dhe gamën e gjerë që do trajtohet, jo vetëm politikanë por nga shoqëria civile dhe përfaqësues fetarë nga gjithë bota e rajoni".
/atsh/

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)