Gjate takimeve u trajtuan një sërë tematikash të rëndësishme për NATO-n dhe sigurinë Euroatlantike, si progresi i bërë në kuadër të misionit të ri të NATO-s "Resolute Support" në Afganistan, situata politike në Ukrainë dhe mënyrat për t'ju përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë në krahun lindor dhe atë jugor të Aleancës.
Gjithashtu, ministri Bushati zhvilloi edhe një serë takimesh të frytshme dypalëshe me homologun gjerman Frank-Walter Steinmeier, atë belg, Didier Reynders, ministrin holandez, Bert Koenders si dhe atë të Luksemburgut Jean Asselborn.
Një vend të veçantë në diskutime zunë zhvillimet e fundit negative në Maqedoni dhe impakti i tyre në sigurinë rajonale. Ministri Bushati shprehu shqetësimin e Shqipërisë për situatën atje dhe nevojën imediate për kryerjen e një hetimi të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vetë stabilitetit të Maqedonisë e gjithë rajonit.
