Në emër të Qeverisë Shqiptare, Kryediplomati Ditmir Bushati shprehu sot shqetësimin lidhur me situatën në Kumanovë duke deklaruar se "mesazhi ynë është i qartë: dënojmë çdo akt dhune që është i papranueshëm për një shoqëri demokratike".
Në një konferencë për shtyp nga ministria e Jashtme lidhur me situatën në Maqedoni, Bushati u shpreh se "gjuha e urrejtjes, duhet t'i lërë vendin shtetit të së drejtës".
"Vlerësimet e qeverisë shqiptare lidhur me situatën e deritanishme mbi fillimin e një operacioni të gjerë në lagjen e Trimave e banuar kryesisht nga shqiptarë, janë shqetësuese. Janë lënduar një numër ende i pakonfirmuar personash. Ne nxisim palën maqedonase për hetime të plota për zbardhjen e kësaj çështjeje. Po ashtu bëjmë thirrje që çdo person apo grup i armatosur të mos identifikohet etnikisht", tha Bushati.
"Kuptojmë shprehjen e revoltës së humbjes se jetës njerëzore, por kërkojmë qetësi dhe vetëpërmbajtje. Çdo përshkallëzim nuk i shërben stabilitetit dhe prosperitet maqedonas", deklaroi ministri duke nënvizuar se "nxisim autoritete në Maqedoni për transparencë, bashkëpunim dhe hetim të plotë në përcaktimin e fakteve".
"Konsiderojmë të papranueshëm fakin që një grup personash të identifikohen etnikisht dhe që vrasja e efektivëve të policisë të përdoret etnikisht. Bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje. Gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t'i lënë vend angazhimti ndaj të drejtave themelore. Harmonia e marrëdhënieve ndëretnike sipas Marrëveshjes së Ohrit, është thelbësore dhe busull për rrugën integruese të Maqedonisë",  deklaroi Bushati.
Duke vënë në dukje se "harmonia e marrëdhënive ndëretnike është thelbësore për stabilitet.", Kryediplomati Bushati siguroi opinionin publik se "do jemi në kontakt me aktorët në Maqedoni dhe me aleatët. Shqiptarët janë promotorë të paqes, prespektivës në rajon dhe besoj se edhe zgjerimi i vatrave të prekura nga kriza siç janë edhe informacionet, në  radhë të parë nuk i shërben stabilitetit të Maqedonisë".
Ministri shtoi se "ne do të nxisim autoritetet maqedonase që kjo çëshjte të adresohet te parimet e përbashkëta europianë për të mbajtur gjallë frymën e etnive".
Bushati shtoi më tej se "në Maqedoni ka pasur një situatë politike të trazuar, ky komunikim ka qenë edhe me partnerët strategjikë ku Shqipëria është ftuar të japë kontributin e saj për të krijuar një mjedis më të përshtatshëm në Maqedoni."
 
/atsh/