Bushati për situatën politike në
Kosovë: Shqetësimi është legjitim

Bushati për situatën politike në<br />Kosovë: Shqetësimi është legjitim
Ministri i Jashtëm i Ditmir Bushati në fjalën e mbajtur para studetënve të Fakultetit të Shkencave Sociale me temë “A ka Shqipëria një politikë të jashtme?”, ka paraqitur kornizat e politikave të jashtme të vendit tonë.

Kreu i diplomacisë tha se, procesi i anëtarësimit në BE është një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë shqiptare, në përputhje me vlerat dhe parimet e Evropës së Bashkuar.

“Marrja e rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim përbën aktualisht përparësinë e veprimit tonë politik dhe diplomatik. Reforma në drejtësi dhe sundimi i së drejtës në ekonomi mbeten përcaktuese për arritjen e këtij objektivi”, tha Bushati.

Gjatë fjalës së tij ai u ndal tek marrëdhënia me fqinjët dhe aleatët strategjikë. Duke u ndaluar tek marrëdhënia me Greqinë, Bushati theksoi se, kur mori detyrën ishin gati të ngrira.

“Kur mora detyrën, marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor ishin thuajse të ngrira, të mbizotëruara nga një frymë mosbesimi dhe nga mungesa e kontakteve të nivelit të lartë. Aktualisht, falë asaj që unë e quaj “politika e hapave të vegjël”. Tanimë, kemi hyrë në një fazë të re gjatë së cilës po hartojmë një dokument të ri për të adresuar probleme të mbartura dhe për të çliruar potencialin pozitiv të marrëdhënies sonë”, tha ai.

Zgjidhja e konfliktit për kufirin detar me fqinjin tonë jugor, u shpreh më tej Bushati, ka dy rrugë: ose një marrëveshje e re, ose alternativa e fundit është arbitrazhi ndërkombëtar.

“Ose do të ketë një rinegocim të një marrëveshje të re në objektin e saj, sepse në gjykimin tonë por duke ju referuar dhe Gjykatës Kushtetuese, gabimi i palës shqiptare fillon që nga objekti i marrëveshjes që ka qenë në negocim me Greqinë. Dhe rruga tjetër është arbitrazhi ndërkombëtar”, tha ministri.

Sa i takon marrëdhënieve me Serbinë, Bushati foli për qajes pa tabu dhe drojë por edhe për dallime rrënjësore mes dy vendeve dhe këtu nuk është fjala vetëm për Kosovën.

“Unë jam dhe mbetem realist për sa i përket vështirësive që ka marrëdhënia me Serbinë. Përtej qëndrimeve mbi çështjen madhore të Kosovës, mendoj se ajo që e ndan shumë më tepër Shqipërinë nga Serbia, është përcaktueshmëria perëndimore e shqiptarëve dhe identiteti i fragmentarizuar i Serbisë në këtë drejtim”, u shpreh Bushati.
I pyetur për votën në OKB, pro heqjes së embargos ndaj Kubës, Bushati sqaroi se vota ishte në një zë më vendet e BE-së dhe ndryshe nga partneri strategji, SHBA.

“Shqipëria nuk ka votuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditën e martë. Shqipëria ka votuar në mënyrë konsistente me atë linjë që e ka të përvijuar prej kohësh. E njëjta rezolutë është hedhur thuajse çdo vit dhe Shqipëria, pavarësisht çfarë qeverish kanë ardhur apo kanë ikur, ka votuar njësoj”, tha ai.

Ndërsa i pyetur për situatën politike në Kosovë, Bushati foli për shqetësim legjitim nga ana e opozitës që kundërshton marrëveshjen me Serbinë për krijimin e bashkësisë së komunave serbe.

“Kornizat janë përcaktuar shumë qartë në marrëveshjen e arritur mes Serbisë dhe Kosovës, nën ndërmjetësimin e BE. Çdo gjë do të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe në përputhje me kuadrin normativ të Kosovës. Natyrisht që shqetësimi është legjitim. Unë e mirëkuptoj shqetësimin që ngrihet sa i përket funksionalitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës dhe në këtë pikëpamje gjykoj që rruga më e mirë është ajo e dialogut me partnerët strategjikë, që e kanë mbështetur Kosovën për të qenë pjesë e platformave rajonale”, tha Bushati. 

Redaksi Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë