Ditmir Bushati diskutoi këtë javë në Public Square me Dr. Albana Shehaj, shkencëtare politike pranë Harvard-it dhe Universitetit të Michigan-it. Në këtë bisedë ata analizuan sfidat që vijojnë ta shoqërojnë Shqipërinë 35 vite pas rënies së komunizmit. Shehaj theksoi se, ndonëse vendi nuk mund të konsiderohet më “në tranzicion” në kuptimin teorik, treguesit politikë dhe institucionalë tregojnë se demokracia shqiptare mbetet e brishtë dhe e centralizuar, larg standardeve të një sistemi të konsoliduar. Sipas saj, dobësia e opozitës, mungesa e kontrollit institucional dhe korrupsioni i lartë janë elemente që shtyjnë vendin drejt modeleve të erozionit demokratik.

Në fokus të bisedës ishte edhe modeli ekonomik shqiptar, i cili, sipas Bushatit dhe Shehaj, mbështetet tepër në ndërtim, turizëm dhe pasuri të paluajtshme, një qasje që prodhon rritje afatshkurtër, por jo zhvillim të qëndrueshëm. Shehaj paralajmëroi se një ekonomi pa bazë të fortë në teknologji, industri krijuese dhe kapital njerëzor nuk mund të krijojë shtresë të mesme, as t’u rezistojë tronditjeve të jashtme. Sipas të dhënave ndërkombëtare diferenca e Shqipërisë me mesataren e BE-së mbetet e madhe, ndërsa ritmet aktuale të rritjes nuk mjaftojnë për të garantuar konvergjencë reale në dekadat e ardhshme.

Një tjetër problem madhor i identifikuar ishte kriza e arsimit dhe hendeku i aftësive. Duke iu referuar vlerësimeve të PISA-s, Shehaj theksoi se nxënësit shqiptarë rezultojnë 3–4 vite prapa bashkëmoshatarëve të tyre në BE në matematikë dhe lexim — një diferencë që dëmton konkurrueshmërinë e brezit të ri dhe nxit ciklin e emigrimit. Sipas saj, pa një reformë serioze në arsim, në edukimin profesional dhe në lidhjen mes universitetit dhe ekonomisë reale, Shqipëria nuk mund të ndërtojë një bazë të qëndrueshme për zhvillim.

Në fund të bisedës ata diskutuan për ministren virtuale “Diella”. Shehaj e përshkroi nismën si “thikë me dy presa” një mundësi për transparencë më të madhe në tendera dhe proceset publike, por edhe një rrezik të kodimit të korrupsionit brenda algoritmeve, nëse teknologjia nuk është e audituar, e sigurt dhe e pavarur. Ajo nënvizoi se Shqipëria ka qenë tre herë viktimë e sulmeve kibernetike, duke e bërë edhe më të domosdoshme që çdo përdorim i IA-së të shoqërohet me standarde të rrepta sigurie dhe përgjegjshmërie.

Intervista e plotë: 

Ditmir Bushati: Mirë se erdhët në Public Square! Unë jam Ditmir Bushati. Sërish nga Cambridge, Massachusetts. Sot kam të ftuar Dr. Albana Shehaj nga Qendra për Studime Europiane në Universitetin e Harvardit, me të cilën dua të diskutoj për fenomenet kryesore që na shoqërojnë ne si një shoqëri në tranzicion, por edhe për brezin tonë, i cili, u përket disi dy epokave. Albana Shehaj ka një eksperiencë të çmuar akademike. Është shkencëtare politike, doktore shkencash nga Universiteti i Michiganit, lektore në Universitetin e Harvardit, e fokusuar në çështje që në fakt kanë të bëjnë shumë me fenomenet e tranzicionit. Çështje që kanë lidhje me ekonominë, me qeverisjen e mirë, me llogaridhënien, me fenomenet e korrupsionit, me politikat e rishpërndarjes, me zhvillimet e vrullshme teknologjike dhe rolin e Inteligjencës Artificiale. Albana, mirë se erdhe në Public Square!

Albana Shehaj: Mirë se ju gjej Ditmir dhe ju falënderoj për ftesën!

Ditmir Bushati: 35 vite nga rënia e sistemit komunist dhe nga hapja e Shqipërisë me botën demokratike, ne ende në Shqipëri flasim për përmbylljen e tranzicionit. Për nevojën për ta përmbyllur. Dikur përmbyllja e tranzicionit është barazuar me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Mirëpo, kur lexon raportin e OSBE-ODHIR për zgjedhjet në Shqipëri apo raportet vjetore për të drejtat e njeriut të Departamentit Amerikan të Shtetit, apo raportet e Komisionit Europian, apo qoftë edhe raportin PISA që mat vlerësimin e sistemit të edukimit dhe dijes në Shqipëri, apo raporte të organizatave të tjera ndërkombëtare, duket që ne ende përballemi me sfidat kryesore të tranzicionit. Si do ta përshkruanit ju si studiuese, si shkencëtare politike por dhe si një njeri i cili ka bërë një rrugëtim akademik në institucione elitë në SHBA, siç është Universiteti i Michiganit apo Universiteti i Harvardit apo dhe nga kontaktet përmes projekteve të ndryshme kërkimore që ju keni, realitetin me të cilin ne përballemi dhe cilat duhet të jenë disa nga eksperiencat që ne duhet të kemi parasysh?

Albana Shehaj: Faleminderit. Kjo është pyetje shumë e drejtë sidomos në këtë pikë të momentit politik dhe gjeopolitik në Shqipëri. Që të themi Shqipëria është ende në periudhën e tranzicionit do të ishte një deklaratë jo reale. Tranzicion është diçka kur supozon në radhë të parë se ishim diku dhe shkuam diku më mirë. E dyta, supozon që çdo moment jemi duke avancuar.

Sot Shqipëria nga ana teorike nuk do të duhej të ishte më në periudhën e tranzicionit por do duhej të ishte një demokraci e konsoliduar dhe një ekonomi e rritur me vendin e vet në Bashkimin Europian. Por nga ana tjetër, po t’i shohim faktet konkrete, nga ana ekonomike nuk mund të themi që Shqipëria është e njëjta Shqipëri e atyre para 35 viteve. Momentalisht, Shqipëria raporton rreth 3.5%-4% rritje ekonomike në PBB në baza vjetore. Papunësia është ulur ndjeshëm. Besoj është nën 10% gjatë dy viteve të fundit. Shqipëria kontribuon dhe ka një import të konsiderueshëm në botë. Domethënë, ka shumë indikatorë ekonomikë që thonë se Shqipëria po përparon.

Në fazën politike, pjesë e rëndësishme e tranzicionit ishte gjithashtu dhe premtimi demokratik. Shqipëria do të ishte një demokraci e konsoliduar në këtë moment në kohë. Kjo supozon një opozitë të fuqishme brenda vendit, supozon institucione shumë efikase që promovojnë dhe ruajnë të drejtat e qytetarëve shqiptarë, supozon gjithashtu një qeverisje efikase, një shtet të fuqishëm si brenda ashtu dhe në arenën ndërkombëtare. Supozon gjithashtu, të mos harrojmë dhe ligjin. Një ligj të fuqishëm dhe të paimplikuar me sistemin politik. Nëse i konsiderojmë të drejta të gjitha këto pika që sapo përmenda në baza konkrete dhe reale, shohim që Shqipëria nuk është ende në atë fazë ku tranzicioni supozonte të ishte në këtë moment në kohë. Forca e opozitës, të gjithë indikatorët nga burime të ndryshme, të dhëna konkrete nga Komisioni Europian, Banka Botërore, të dhëna konkrete sikurse është ‘Varieties of Democracy’ tregojnë që Shqipëria është ende një vend ku politika është e fokusuar, e centralizuar në duart e partisë në pushtet dhe ku opozita shihet jo vetëm me një nënvlerësim politik, por nuk njihet roli i saj në një kontekst të fortë dhe që duhet për të qenë një sistem i fortë politik e efikas. Opozita është dobësuar gjithnjë e më tepër dhe nëse keni parasysh librat të cilët janë botuar së fundmi, ‘How Democracies Die’ (Si vdesin demokracitë) nga Levitsky dhe Ziblatt, mungesa e forcës së opozitës sinjalizon një rikthim në autokraci dhe jo atë që supozon një tranzicion drejt demokracisë. Institucionet, sidomos në fushën e korrupsionit, Shqipëria lë shumë për të dëshiruar. Sistematikisht ne renditemi diku të 40-42 nga 100, në sistemin e forcës institucionale të Shqipërisë, gjë e cila nuk na pozicion ne me shtete të tjera të Bashkimit Europian, që supozohet kanë kaluar tranzicionin në mënyrë të sukseshme ose janë konsoliduar si demokraci. Teorikisht Shqipëria ka avancuar por hapat e saj, ato që priteshin të ishin galopante në sistemin demokratik dhe ekonomik, janë hapa të vegjël dhe janë tre hapa para e një pas. Të gjitha ato kritere që duhej të konsolidoheshin janë ende në proces.

Ditmir Bushati: Për të shkuar tek një element tjetër i rëndësishëm Albana që ka lidhje me zhvillimin ekonomik. Sot ekonomia shqiptare është në katër, pesë duar njerëzish. Të gjithë janë shqiptarë. Nga njëra anë mund të jetë e mirë sepse themi që ekonomia është në duart tona, por nga ana tjetër shohim që sipas treguesve bazë, ekonomia jonë po mbështetet në dy sektorë: ndërtim dhe turizëm. Unë nuk jam ekonomist por kam aq njohuri sa të kuptoj që asnjë vend nuk ka bërë një kapërcim të madh veç me këta dy sektorë, pa u fokusuar tek ekonomia e dijes, apo pa siguruar një ndërlidhje me edukimin, me inovacionin e kështu me radhë. Si e shihni ju që keni një eksperiencë shumë të gjatë në këtë drejtim? A është kjo një recetë për qëndrueshmëri dhe cilat mund të jenë eksperiencat e mira që mund të përqafojë Shqipëria?

Albana Shehaj: Që ta themi hapur dhe shqip, ne jemi në sistemin ndërto, shit dhe prit. Çfarë dua të them me këtë është se Shqipëria e ka fokusuar modelin e saj ekonomik në infrastrukturë, turizëm dhe në ‘real estate’ (pasuri të patundshme). Të tri këto kritere në planin afatshkurtër ekonomik premtojnë të dhëna. Gjenerojnë një rritje ekonomike që nuk është afatgjatë dhe është pak a shumë sabotuese për një efikasitet ekonomik afatgjatë. Çfarë dua të them me këtë është se në sistemin e dukjes kur ne jemi fokusuar në ndërtim ose në turizëm, për atë ekonomi që ne dhe shteti shqiptar është i fokusuar që të tërheqë, ajo na jep një dukje botërore. Jahtet nëpër portet tona, na jep ato 9-10 milionë turistë që hyjnë në Shqipëri dhe që është numër i mirë, por, ajo është një ekonomi sipërfaqësore. Me ketë dua të them që kjo ekonomi nuk e ka bazën e shëndoshë të rrisë klasën e saj të mesme, të mbajë rininë e saj punëtore brenda kufijve të saj. Ne e dimë fort mirë se gati 40% e popullatës shqiptare jeton jashtë kufijve të Shqipërisë.

Mungesa e klasës së mesme, mungesa e fuqisë punëtore me aftësi specifike dhe një demografi e ulët dhe në rënie, tregon që me kalimin e kohës ky model ekonomik ku ne jemi fokusuar tek turizmi, nuk e ka themelin e duhur ekonomik brenda Shqipërisë që t’i rezistojë një shoku të jashtëm. Me këtë dua t’ju kujtoj Sri Lankën. Ajo ishte një ekonomi e fokusuar në turizëm dhe në të gjithë ata faktorë që momentalisht Shqipëria është duke u dhënë përparësi. Ajo çfarë ndodhi gradualisht ishte se sistemi i jashtëm dhe goditjet që u bënë, çuan drejt revolucionit, pra në një shkatërrim ekonomik. Historia na ka dhënë disa precedentë për të qenë të vëmendshëm ndaj tyre dhe për të nxjerrë mësimet tona.

Ajo që duhet, dhe që t’i përgjigjem pyetjes tuaj të dytë, është që reforma ekonomike duhet të jetë e fokusuar jo vetëm në turizëm, por në ndërtimin ekonomik, në ndërtimin akademik, në ndërtimin e bizneseve si teknologji, biokimi. Shkollat profesionale janë ato që i japin aftësitë e duhura rinisë shqiptare, që ta gjejë aftësinë e vet jo larg kufijve të shtetit, por të mbetet në Shqipëri. Kjo rrit shtresën e mesme, e cila është shtylla kurrizore e një ekonomie të fuqishme. Plus, është edhe rreziku tjetër. Ne vërtetë e kemi ekonominë në duart tona. Urime për ne! Por, a është ajo në duart e popullit shqiptar apo është në duart e katër personave që mund t’i quajmë ose oligarkë, ose mund t’i quajmë biznesmenët më të aftë që Shqipëria ka për të ofruar për momentin?! Nuk e di. Por, një ekonomi e fuqishme që quhet në duart tona është ajo që ekziston në duart e shtresës së mesme. Do të thotë që ka barazi ekonomike dhe barazi shansesh ekonomike për çdo shqiptar.

Që ta përmbledh, në afatshkurtër ekonomia shqiptare është atje ku duhet të jetë. Rezultatet nga viti në vit janë pozitive, jo shokuese pozitive por janë pozitive. Me këtë ritëm nuk mund të jetë një ekonomi që do të rezultojë rritje afatgjatë e shtetit dhe ekonomisë shqiptare. Dhe kjo rrezikon shkatërrim politik, revolucion ndoshta në një të ardhme.

Ditmir Bushati: Jemi në një mendje përsa u përket sfidave kryesore me të cilët ne përballemi si një shoqëri. Për mua, vështirësitë janë të ndërlidhura. E para ka të bëjë me dobësinë e institucioneve demokratike dhe për shkak të mungesës së një tradite moszbatimi të parimeve të sundimit të së drejtës. Pra, mbjellja, hedhja rrënjë e këtyre parimeve kërkon një kohë. Megjithatë, po bëhen rreth katër dekada dhe ne ende nuk po shohim ato rezultate që të paktën brezi ynë ka pritur. Elementi i dytë është ajo që ju thatë me të drejtë, ekonomia zhvillohet por nuk zhvillohet në atë trajektore qëndrueshmërie dhe nuk merren modelet më të mira, por jemi të prirur drejt të sipërfaqshmes. Këtu dua të sjell në vëmendje dhe një studim të Bankës Botërore që bën në mënyrë periodike, për konvergjencën. Pra, ku është ekonomia shqiptare në raport me mesataren e BE-së dhe e ndan në disa sektorë. Me këto ritme i bie që edhe sikur BE-ja të mos zhvillohet fare por të qëndrojë në këtë nivel, ne do të na duhen 6-7 dekada për të arritur mesataren e BE-së. Një element tjetër që e përmende dhe më vjen mirë, është kriza e madhe demografike. Pra, humbja e besimit tek e ardhmja në vend. Ky është një komponent që mua më shqetëson shumë. Në Shqipëri kemi nga njëra anë një shkollë mendimi që është qeveria që thotë se ‘kështu ndodh në çdo vend tjetër, nuk kemi çfarë të bëjmë, do jetojmë me këtë fakt’. Kemi dhe një shkollë tjetër mendimi kryesisht në opozitë që ia vë fajin qeverisë për çka ndodh. Por, nuk kemi asnjë politikë alternative sesi mund të reduktohen pasojat e këtij fenomeni tejet shqetësues. Çfarë mendon Albana si studiuese, çfarë hapash duhen ndërmarrë? Mund të jetë pyetje njëmiliondollarëshe por disa nga hapat që duhen ndërmarrë?

Albana Shehaj: Kjo është vërtetë pyetje njëmiliondollarëshe. Por, doja të shtoja dhe diçka tjetër te ai shqetësimi juaj me shumë vend Ditmir. Sipas të dhënave të PISA-s, e cila është një agjenci që mat rritjen akademike të studentëve, atij shqetësimi demografik që ju përmendet, largimi i rinisë shqiptare, lindjet e pakta, i shtohen gjithashtu edhe aftësitë e asaj pjese të demografisë që në fakt është duke jetuar në Shqipëri. Sipas vlerësimeve të PISA-s, rinia shqiptare në matematikë ka rezultatin diku te 380 pikë, e cila po ta krahasosh me BE-në është 487. Pra, ka rreth 100 pikë diferencë. Në lexim është e njëjtja gjë, me një diferencë prej rreth 100 pikësh përsëri. Që ta vendosim këtë në perspektivë, në terma relative, kjo do të thotë se rinia e sotme shqiptare është me 3-4 vite studime akademike më pak sesa bashkëmoshatarët e tyre në BE. Pra, edhe ata shqiptarë që momentalisht i kemi brenda kufijve tanë nuk kanë aftësitë e duhura që të konkurrojnë në mënyrë efikase me bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë. Duke pasur këtë shqetësim, pyetja njëmilion dollarëshe në fakt është adresuar. Ne kemi një precedent historik përsëri. Në këtë rast do t’i drejtohem Kinës. Pas reformave të 1970-ës, Kina nga viti 1980-2000 e kuptoi shumë qartë që i duhej një aftësi e re, i duhej një brez i ri, i trajnuar jo vetëm në universitetet elitare të botës por në dimensione të caktuara të ekonomisë, të teknologjisë, mjekësisë, etj. Mua më pëlqen t’i referohem kësaj teme, sesi ata ‘armatosën’ diasporën e tyre. Ata krijuan një infrastrukturë të tillë, që ua thjeshtuan situatën studentëve të tyre të largoheshin duke u mbështetur studime akademike dhe pastaj të riktheheshin. Rinia shqiptare po e gjen vlerën e saj në rrugët e botës, në institucionet e botës. Por, dëshira për t’u kthyer nuk mungon dhe nuk ka munguar kurrë. Është mundësia dhe infrastruktura që shteti shqiptar duhet të ngrejë që të tërheqë më pas diasporën e tij.

Konkretisht, po të shohim Kinën modelin që e ka realizuar këtë gjë, një nga gjërat që ata bënë është që i ofruan diasporës që të rikthehej me një pagesë vjetore, çka ishte shumë kompetitive krahasuar me atë që ata do të jetonin në diasporë. Hapi i dytë, u dhanë rezidenca, u krijuan mundësi që ata të vinin e të jetonin. Sot, sikurse e dimë shumë mirë, pikërisht sepse ekonomia është fokusuar te ‘real state’ (pasuria e patundshme), të blesh një shtëpi në Shqipëri, sidomos në Vlorë, nga qyteti ku unë jam, nuk është diçka që mund të përballohet më nga një shtetas shqiptar. Kështu që një person i diasporës, një student i diasporës kthehet në Shqipëri për të kontribuar për atdheun e tij do t’i duhet të ketë një farë mbështetjeje nga shteti në këtë drejtim. Gjithashtu, duhet të ketë dhe një njohuri. Jo një angazhim sipërfaqësor.

Ditmir Bushati: Dhe diçka lidhur me rolin e diasporës meqenëse e prekët me shumë të drejtë. Këtu në Harvard ekziston shoqata e studentëve. Janë shumë aktivë, bëjnë aktivitete të ndryshme, një pjesë e studentëve apo akademikëve janë të integruar në komunitetin elitë të SHBA-ve dhe të botës, siç është Universiteti i Harvardit. Çfarë mund të bëjë qeveria e Shqipërisë apo ajo e Kosovës për ta shfrytëzuar këtë jo vetëm si një kanal komunikimi por dhe si një kanal influence? Jo të gjithë duan të kthehen, qoftë dhe me këto oferta kompetitive që Shqipëria apo Kosova, nesër, pasnesër nëse do dojë që ti zbatojë, siç morët ju shembullin e Kinës. Një pjesë do të vazhdojnë të jetojnë këtu apo në vende të tjera në Amerikën Veriore. Çfarë ke kuptuar, çfarë mund të bëjnë vendet e tjera pak a shumë me përmasë dhe histori të ngjashme me ne?

Albana Shehaj: Unë do t’i referohesha diasporës shqiptare si Ministria e Zhvillimit të Shqipërisë. Një ministri e jashtme e zhvillimit dhe me këtë dua të them që deri më sot, edhe pse jemi kudo dhe kemi potencialin të kontribuojmë për Shqipërinë në një kapacitet thellësisht që ka një impakt të fuqishëm në rritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë, sikurse dhe promovimin e ‘brandit’ shqiptar kudo në botë. Sikurse po e bëjmë përmes artit, akademisë etj. Por, po e bëjmë në mënyrë individuale, aspak në mënyrë të organizuar nga shteti shqiptar. Në njëfarë mënyre, diaspora është duke luajtur rolin e saj në mënyrë që shpesh mohohet ose nuk njihet me mirënjohje nga shteti shqiptar. Dhe tjetra, angazhimi i saj sipërfaqësor. Për Partinë Socialiste apo Partinë Demokratike, nuk jam me asnjë parti konkrete, thjesht po flas për fenomenet që ne vëzhgojmë, kur atyre u duhen shqiptarët e diasporës të tundin flamurin shqiptar dhe t’i mirëpresin shtetasit shqiptarë në Athinë, Romë, New York, shqiptarët janë aty. Por, kur diaspora shqiptare dhe kokat e saj ka vend për t’u thirrur që të kontribuojnë, të japin një kontribut konkret ndaj atdheut të tyre, shqiptarët befasisht nuk e kanë aftësinë e duhur dhe nuk kanë kapacitetin e duhur të kuptojnë politikën, ekonominë, teknologjinë dhe mjekësinë shqiptare. Kjo është diçka që do adresuar në mënyrë urgjente. Nëse Shqipëria sot ka një armë të saj të fuqishme, le të themi që 42%, rreth 1.2 milionë shqiptarë momentalisht janë jashtë kufijve të saj. Ne jemi 1/3 e popullatës, po i afrohemi gjysmës dalëngadalë me këtë ritëm që emigracionit po shtohet. Kështu që tani kur 1/3 e shqiptarëve janë jashtë kufijve të saj a nuk ka vend për këta shqiptarë që janë profesionistë kudo në botë të sjellin aftësitë e tyre në Shqipëri dhe ta ndërtojnë Shqipërinë?! E bukura e diasporës, dhe kanë të drejtë politikanët shqiptarë kur e shohin diasporën me atë syrin idealist, është se ne jemi ata që kemi ngelur te 30 vitet e kaluara, dashuria për kombin, nuk jemi pragmatikë, etj. Ai idealizmi ynë do hyjë në punë. Ne nuk jemi ata që besojmë se duhet të angazhohesh në korrupsion që të arrish diçka. Kemi arritur kudo ku jemi me përpjekjet tona dhe i njohim vlerat e një pune të virtytshme. Gjithashtu, kemi trajnime nga më të fuqishmet. Gjithë kolegët e mi, kudo në botë, flas në emër të tyre, kemi trajnime të cilat për shtetin shqiptar janë një pasuri e fjetur.

Ditmir Bushati: Albana ka një diskutim së fundmi në Shqipëri, në fakt, nuk është as diskutim por çështje mediatike përsa i përket dekretimit të ministrit virtual ‘Diella’ dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale në mënyrë më efektive për të luftuar korrupsionin apo abuzime të ndryshme, apo për të ‘larë hesapet’ me vesin njerëzor. Këtu, për hir të së vërtetës, debati rreth efekteve anësore të Inteligjencës Artificiale dhe raportit të njeriut me teknologjinë është shumë i shëndetshëm, është me një sy gjithnjë e më kritik dhe është në funksion të mbështetjes së aspektit njerëzor dhe lehtësimit që mund të vijë nga Inteligjenca Artificiale. Ju keni eksperiencë në këtë drejtim dhe me institucione amerikane dhe do doja të dija mendimin tuaj duke u bazuar edhe tek kjo eksperiencë që keni në SHBA. Sa efektive e shihni ‘Diellën’, përtej debatit kushtetues dhe aspektit propagandistik dhe shpesh tallës, qoftë dhe këtu në ambientet e Harvardit për këtë ‘gjetje’ shqiptare?

Albana Shehaj: Diella ka dy anë. Unë e shoh si thikë me dy presa. Është diçka e bukur dhe është një sensacion, një dramë e vërtetë në teatrin shqiptar që ti vendos ministren e parë të Inteligjencës Artificiale. Një avatar me veshjen tonë tradicionale. Urime atij që e mendoi dhe pati vizionin për këtë proces! Ndërkohë, ka dy anë të kësaj monedhe. Ana e parë është që Diella mund të ishte një tranzicion i vërtetë në transparencën shqiptare. Nëse Diella është një avatar i cili sinqerisht dhe në mënyrë të rregullt dhe efikase është duke monitoruar procesin e tenderëve, është duke i dhënë çdo biznesi që konkurron për një tender të caktuar dhe algoritmi është bashkërenduar në mënyrë të atillë që ta bëjë këtë punë në mënyrë efikase, ajo do të ishte një hap i jashtëzakonshëm dhe Shqipëria do të ishte vërtet merituese e atij fakti që ne krijuan Avatarin e parë që është i painfluencuar nga rrymat politike dhe do të kontribuojë në transparencën dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë në një kalim krejt të panjohur për momentin. Kjo do të ishte ana pozitive. Kjo do të ishte bota utopike. E para, kush e vendos algoritmin e Diellës? Ne nuk kemi informacione konkrete ose të paktën që janë ndarë me publikun e thjeshtë. E dyta, kush e vendos nëse Diella gabon? Gjatë 5 viteve të fundit shteti shqiptar ka pasur tri momente “breaking”, në botën digjitale. Ka qenë viktimë e tri sulmeve kibernetike, ku janë reklamuar të drejtat e shqiptarëve, emrat dhe të gjitha evidencat. Mos të harrojmë që në botën e tenderëve, sikurse e thamë dhe më lart, shteti shqiptar njihet si një shtet i cili jep avantazhe të caktuara një minoriteti që janë shpesh herë të shoqëruar në rrethin e ngushtë të kryeministrit dhe të partisë në pushtet. Diella, edhe pse është nga ana teknologjike vulnerabël, ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme në shtetin shqiptar. Pika e tretë dhe ajo më shqetësuese nga perspektiva ime si ‘computer scientist’ (shkencat kompjuterike) është në në qoftë se kodi dhe algoritmi i Diellës është i krijuar që në momentin e parë. Që kur është krijuar i janë dhënë kriteret e caktuar sesi ajo do të skanojë alokimin e tenderëve. Atëherë, korrupsionin nuk e kemi më në zyra, por e kemi të koduar te vetë prezenca e Diellës. Kjo do të ishte një tragjedi e vërtetë, sepse nëse Shqipëria e ka mundësinë që të impresionojë Brukselin, Europën dhe gjithë botën për arritjen e saj, ajo njëkohësisht mund të zbulojë fasadën e vet korruptive me anë të Diellës, të vetë krijesës së saj.

Ditmir Bushati: Albana Shehaj ishte shumë kënaqësi t’ju kisha në Public Square! Shumë faleminderit.

Albana Shehaj: Kënaqësia ime! Ju falënderoj.