Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë, Enzo Moavero Milanesi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet miqësore, tradicionalisht shumë të mira dhe me ecuri pozitive ndër vite mes vendeve.
Ministri Bushati theksoi se partneriteti strategjik midis dy vendeve është një garanci për të pasur një bashkëpunim edhe më të madh dhe të gjithanshëm si në aspektin dypalësh, veçanërisht atë ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në zhvillimet rajonale dhe globale. Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin mbështetës dhe lobues të Italisë për hapjen e negociatave me BE, në muajin qershor 2019, mbështetje e cila vjen si pasojë e leximit të rezultateve konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Gjithashtu, Ministri Bushati falënderoi homologun italian për mbështetjen e Shqipërisë për lobimin në marrjen e Kryesisë së OSBE-së për vitin 2020 dhe shprehu angazhimin për të punuar ngushtësisht brenda Trojkës së OSBE-së. Ai i shprehu mirënjohjen Italisë për mbështetjen që do të ofrojë në drejtimin e Grupit të kontaktit për Mesdheun në 2019, Kryesinë e OSBE-së në 2020 dhe Grupin e kontaktit për Azinë në 2021. Ministri Bushati u shpreh optimist për mbështetjen e mëtejshme dhe rakordimin e veprimeve të përbashkëta për sigurimin e vendit të anëtarit të përkohshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë së OKB për periudhën 2022-2023.
Pjesë nga fjala e Bushatit:
Dua ta falënderoj në emër të Qeverisë Shqiptare, në emër të institucioneve dhe popullit shqiptar, mikun tim, ministrin e Jashtëm italian, Moavero, për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për të marrë kryesinë e OSBE-së, duke na dhënë në të njëjtën kohë mundësinë për të mësuar nga eksperienca e vyer italiane, duke qenë pjesë e Trojkës së OSBE-së, sepse për Shqipërinë do të jetë hera e parë, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të testuar kapacitetet tona diplomatike, politike, ndërvepruese jo vetëm me Italinë dhe Sllovakinë si pjesë e Trojkës, por edhe me vendet e tjera të cilat në shumë raste mund të kenë gjykime dhe opinione krejt të ndryshme nga vendi ynë. Gjithashtu unë sot dua t’i shpreh mirënjohjen Ministrit Moavero, Italisë mike, për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në mënyrë konsistente në procesin e integrimit evropian. Dua të kujtoj edhe njëherë për qytetarët tanë që Italia ishte një nga vendet pararojë edhe në qershorin e vitit të kaluar, në mbështetje të një vendimi për nisjen e menjëhershme të bisedimeve për anëtarësim, sepse në fund të ditës është në interesin edhe të Bashkimit Evropian dhe jo thjesht Shqipërisë, nisja e këtij procesi një orë e më parë. Dhe gjithashtu sot mora edhe mbështetje dhe u sigurova që Italia do të vijojë të mbështesë nismën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim brenda vitit 2019. Për ne, pavarësisht vështirësive që kalon Bashkimi Evropian dhe procesi i Integrimit Evropian, Evropa është një ideal, Evropa është destinacion dhe Evropa është nevoja jonë për t’u reformuar së brendshmi dhe për të zhvilluar më tej ekonominë shqiptare dhe për të projektuar më shumë stabilitet demokratik në rajon dhe Mesdhe. Gjithashtu me Italinë ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer edhe në kuadër të Nismës Qendrore Evropiane dhe do të vijojmë që të sinkronizojmë përpjekjet tona dhe iniciativat tona për të projektuar më shumë stabilitet demokratik, më shumë prosperitet në Ballkan dhe në Mesdhe.
Ditmir Bushati me ministrin italian Enzo Moavero Milanesi
Ndërkohë që ministri italian tha se Shqipëria dhe Italia janë të lidhura në histori me njëra-tjetrën.
Pjesë nga fjala e ministrit italian:
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë i kanë rrënjët të thella në histori. Le të kujtojmë që ekzistojnë komunitete shqiptare në Itali prej qindra e qindra vitesh që i kanë ruajtur traditat e tyre kulturore e gjuhësore dhe janë në mënyrë të qëndrueshme pjesë e realitetit tonë. Dy vende që lagen nga deti Adriatik dhe Jon, pra janë të lidhur gjeografikisht, historikisht, kulturalisht dhe nga marrëdhëniet e fuqishme ekonomike dhe tregtare në ditët tona, janë të lidhura dhe unë e kam për zemër ta ritheksoj, nga prania e përbashkët e organizmave të rëndësishme ndërkombëtare, OKB, NATO dhe OSBE, të cilën Italia e ka kryesuar në vitin 2018 dhe Shqipëria do marrë kryesinë në vitin 2020, pra, gjatë këtyre muajve të 2019-ës do të jemi pjesë e Trojkës, në funksion të Presidencës së ardhshme të Shqipërisë. Do të punojmë së bashku për një asociim ndërkombëtar, për një organizim ndërkombëtar që ka atë vlerë të madhe, të bëjë bashkë në një tryezë, vende të ndryshme, sikurse themi që nga Toronto deri në Vladivostok, vende të cilat shpesh kanë vështirësi komunikimi. Sikurse kemi parë edhe në Milano, në ministerial, këto vende mund të ulen në të njëjtën tryezë dhe të kenë komunikim të frytshëm. Kjo ishte një përvojë shumë e rëndësishme dhe Shqipëria do të ketë mundësinë e madhe për ta drejtuar gjatë vitit 2020.