TIRANË, 14 Nëntor/ATSH/-Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë qëndrimit në Bruksel zhvilloi sot një takim pune me Sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ministri Bushati e uroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për detyrën e sapomarrë në krye të Aleancës Atlantike dhe shprehu besimin e plotë të tij dhe të qeverisë shqiptare, se Stoltenberg do të kontribuojë në mënyrë të qenësishme në realizimin e vendimeve të rëndësishme të Samitit të Uellsit.
Në fokusin e takimit mes ministri Bushati dhe Sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s, ishin tema të rëndësishme të kërcënimeve dhe sfidave të reja ndaj sigurisë Euroatlantike, si nga lindja ashtu dhe nga jugu, duke vlerësuar lart kohezionin dhe unitetin e vendeve aleate të dëshmuar në Samitin e Uellsit. Në këtë kontekst, ministri Bushati dhe Stoltenberg vlerësuan rëndësinë specifike të forcimit të mëtejshëm të lidhjes transatlantike si dhe të intensifikimit të bashkëpunimit të NATO-s me partnerët e saj.
Ata trajtuan gjithashtu specifikën e vazhdimësisë së pranisë së NATO-s në Afganistan me përfundimin e këtij viti, nëpërmjet misionit të ri të udhëhequr nga NATO, Resolute Support, që do të ndihmojë në vazhdimësi autoritetet e Afganistanit për konsolidimin e mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në vend.
Një vend të veçantë në takim zuri trajtimi i aspekteve të ndryshme të ecurisë së rajonit tonë drejt integrimit euroatlantik, ku u trajtua politika e dyerve të hapura të NATO-s dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal veçanërisht në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë. Ministri Bushati, duke vlerësuar lart rolin dhe praninë e KFOR-it në Kosovë, përsëriti qëndrimin e Shqipërisë për domosdoshmërinë që NATO të ketë marrëdhënie institucionale me Kosovën.
Ministri Bushati e ftoi Sekretarin e ri të Përgjithshëm që të vizitojë Shqipërinë në përputhje me agjendën e tij të punës. Në mbyllje të vizitës në Bruksel, ministri Bushati zhvilloi takime edhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar Evropian për Punët e Jashtme, Elmar Brok, me kreun e delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Monica Luisa Macovei, me Raporterin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein dhe me eurodeputetin Eduard Kukan./i.v//a.ke/











