Dënohet me 4.5 vite burg Astrit Bushi, Laçiani i kërkuar nga drejtësia italiane për një seri krimesh. Vendimi për dënimin e Bushit është dhënë nga gjykata e Laçit dy ditë më parë, ku kjo gjykatë bëri njohjen e vendimit italian që e shpallte fajtor dhe dënonte me 4.5 vite burg Astrit Bushin, për akuzën e grabitjes me dhunë. Bushi, është një emër mjaft i njohur edhe për drejtësinë shqiptare dhe atë spanjolle, ku pikërisht në këto shtete ai është përfshirë në disa vepra të rënda kriminale. Astrit Bushi, pak muaj më parë u arrestua si i dyshuar në trafikun e kokainës dhe si pjesëmarrës në grupin e baronit të drogës Gëzim Çela. Por fill pas verifikimit nga Krimet e Rënda, akuzat ndaj tij për trafik droge janë rrëzuar. Pavarësisht kësaj Astrit Bushi, nuk është liruar, pasi është konstatuar se ndaj tij drejtësia italiane kishte lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar.

Për pasojë Bushi ju nënshtrua procedurave të ekstradimit, ku fillimisht doli para gjykatës së Tiranës, ku është lënë në masën e arrestit 40 ditor në burg, deri në pritje të ardhjes së letërporosisë nga italia për esktradimin e tij. Mirëpo brenda kësaj kohe, autoritet italiane sollën kërkesën në Shqipëri për njohjen në vendin tonë të vendimit penal të huaj dhe jo të ekstradimit të Bushit në Itali. Nisur nga këto kushte, gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe çështjen penale ja ka referuar gjykatës së Laçit, ku prokuroria e këtij rrethi ka vijuar procedurën e mëtejshme. Pas disa seancash gjyq, dy ditë më parë Astrit Bushi, i konsideruar si i forti i Laçit, është deklaruar fajtor, duke u dënuar me 4.5 vite burg. Ky vendim ka ardhur si pasojë e njohjes së vendimit italian që e ka shpallur fajtor dhe dënuar me të njëjtën masë dënimi Astrit Bushin.

*Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print)