Vllaznia është rikthyer te fitoret në Superligë dhe këtë e ka bërë në përballjen e vështirë të javës së 11 kundër Elbasanit. Në Loro Boriçi 90 minutat u mbyllën me rezultatin 1-0, teksa goli i vetëm i sfidës u realizua nga Uldedaj në fundin e pjesës së parë. Ky sukses i mundësoi Vllaznisë të largohej nga vendi i fundit, ndërsa për Glen Dajën ishte humbja e parë si trajner i Elbasanit.

“Fillimisht dua të them se ishte një ndeshje e mirë për të dyja ekipet. Patëm pak fat në pjesën e parë dhe duhet të punojmë që mos t’i japim këto mundësi kundërshtarit. Në fund të ditës mund të them se ishte një fitore e merituar,”-u shpreh Csaba Laszlo, trajner i Vllaznisë.

“Largohemi me humbje. E dinim që ishte ndeshje e vështirë dhe do të vendosej nga episodet. Patëm jashëtzakonisht shumë raste dhe nuk i shfrytëzuam siç duhet. Shkodra në rastin e parë që pati e shfrytëzoi siç duhet dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë. Futbolli i tillë është,”-tha Glen Daja, trajner i Elbasanit.

Partizani ndërkohë për herë të parë këtë sezon siguroi fitoren e dytë radhazi. Të kuqtë pas suksesit kundër Teutës mposhtën në transfertë 1-0 Laçin, me Sebastjan Spahiun i cili realizoi golin e vetëm të sfidës. Me këtë sukses Partizani mbetet i fundit në renditje, por ka rikuperuar mjaft pikë ndaj skuadrave që renditen të fundit.

Fitore edhe për Tiraën që në ‘Selman Stërmasi’ ia doli 1-0 kundër Teutës. Golin 3 pikësh e realizoi sulmuesi Daci në fund të ndeshjes pas një inkursioni të kapitenit Xhixha, ndërsa bardheblutë më herët kishin humbur edhe një penallti me Kis. Për Teutën kjo ishte humbja e 3 radhazi që e largon ndjeshëm nga objektivat.