FSHF vendosi që Kukësi dhe Butrinti të përballen në një finale play-off për të mësuar skuadrën që do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë edicionin e ri, për vendin vakand të lënë nga Bylisi B.
Sarandiotën e Butrintit kanë dalë kundër vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, me argumentin se vendimi është i vonuar dhe në një kohë kur kampionati ka disa javë që ka mbaruar, diçka e tillë ka sjellë pasoja sportive, teksa shumë lojtarë janë larguar nga ekipi dhe janë jashtë formës sportive. Veç saj, Butrinti shton se vendimi i tillë ndikon edhe në aspektin financiar.
Butrinti lë të kuptohet se nuk do të paraqitet në këtë ndeshje finale, duke e apeluar vendimin në organet e FSHF-së. Sarandiotët 'kërcënojnë' se do ta ndjekin çështjen deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
Butrinti më herët kishte kërkuar vendin e Bylis B në Kategorinë e Parë, teksa referonin nenin 36 pika 4 të 'Rregullores së Garës', që thotë se nëse një klub nuk merr pjesë në garë, zëvendësohet nga 'Ekipi finalist play-off i Kategorisë së Dytë'. Butrinti është skuadra humbëse në finalen kundër Bylis B të play-off-it të Kategorisë së Dytë.
Reagimi i Klubit të Futbollit Butrinti:
Klubi i Futbollit KF Butrinti shpreh kundërshtimin e plotë ndaj vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Federata Shqiptare e Futbollit për zhvillimin e një ndeshjeje play-off mes KF Kukësi dhe KF Butrinti për përcaktimin e skuadrës që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë për sezonin 2026/27.
Ky vendim vjen në një moment kur kampionati ka përfunduar prej kohësh dhe ka sjellë pasoja serioze sportive, organizative dhe financiare për klubin tonë. Shumë lojtarë janë larguar, ekipi ka dalë jashtë ritmit garues dhe janë shtuar ndjeshëm shpenzimet e paplanifikuara për organizimin e një ndeshjeje të tillë.
KF Butrinti vlerëson se ky vendim është i padrejtë dhe në kundërshtim me parimet e barazisë sportive dhe sigurisë juridike të garës. Për këtë arsye, klubi do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe sportive për mbrojtjen e të drejtave të tij, duke nisur me apelimin e vendimit pranë organeve kompetente të FSHF-së dhe më pas, nëse do të jetë e nevojshme, çështja do të dërgohet edhe në Court of Arbitration for Sport (CAS). Klubi ynë mbetet i vendosur në mbrojtje të dinjitetit, mundit dhe sakrificës së bërë gjatë gjithë sezonit sportiv.

Pika e 'Rregullores së Garës' të cilës i referohet Butrinti
Lajmi kryesor:
Pozicioni vakant në Kategorinë e Parë, FSHF vendos që Kukësi dhe Butrinti të përballen në finalen 'play-off'! Sarandiotët kundër, verilindorët pro









