Kuvendi pritet të miratojë sot buxhetin e vitit 2027, që do të zbatohet nga 1 janari. Buxheti i ri i shtetit arrin në 976 miliardë lekë (rreth 10 mld euro), nga 906 miliardë lekë këtë vit. Fondet do të shkojnë për investime, paga e pensione, si dhe për skemën e ndihmës ekonomike dhe bonusin e bebeve.
Për buxhetin në emër të komisionit të Ekonomisë foli në Kuvend deputeti i PS, Erion Brace, i cili listoi edhe kërkesat drejtuar qeverisë.
“Shpenzimet publike dhe realizimi i tyre mbeten sfida kryesore që mund të vërë në rrezik buxhetin e shtetit. Për këtë arsye komisioni ka ndërmarrë nismën që të kontrollojë muaj për muaj realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve. E gjitha kjo synon t'i japë fund praktikës me akte normative, si nevojë për të fshehur paaftësinë për përdorimin e fondeve publike”, tha nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe.
Janë 202 miliardë lekë që do të shkojnë për investimet publike, 24 miliardë lekë do përdoren për bonusin mujor të pensioneve dhe indeksimin në prill, si dhe prej 1 korrikut do të nisë pagesa mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeçare.
“Bonus të menjëhershëm për lindjen, bonus të përmuajshëm për rritjen e fëmijës, të përshkallëzuar për çdo fëmijë derisa të mbushë moshën pesë vjeç”, tha Braçe.
Sa i takon borxhit publik projektohet të zbresë në përqindje në 52.4% të PBB-së, dhe i gjithë ky skenar i ligjit më të rëndësishëm ekonomik është ndërtuar mbi projeksionin e një rritje ekonomike prej 4%, e mbështetur kryesisht nga turizmi.
“Ne e konsiderojmë të papranueshme që sektorë të rëndësishëm siç industria e mbi të gjitha industria nxjerrëse për punuar të jenë prej disa tremujorësh në rënie, ashtu siç edhe bujqësia gjithashtu. Pikërisht për këtë arsye ne kërkojmë një reformë të plotë strukturore në sektorin e industrisë”.
Projektbuxheti i 2027-ës vjen i shoqëruar me 5 projektligje të “Paketës Fiskale”, ku për herë të parë pas 3 dekadash në fuqi, qeveria vendos të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për 54 produkte ushqimore dhe higjienike, nga 20% në 6%.
“Komisioni i ka kërkuar qeverisë që të mbajë të informuar për listën e produkteve konkrete që do të miratohet me vendim të saj, si dhe të miratojë sa më parë një instrument që garanton përcjelljen e plotë të këtij favori fiskal në çmimet e produkteve në përfitim të qytetarëve”, tha Braçe.
Ndërkohë rritet TVSH-ja nga 20% në 21%. Pra për çdo produkt apo shërbim tjetër barra do të shtohet. Gjithashtu rritet nga 6% në 10% edhe TVSH-ja për strukturat akomoduese me përjashtim të agroturizmit. Kurse për bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit, kalohet direkt në regjimin e TVSH-së.
“Me synimin e shpallur për të luftuar evazionin fiskal në qarkullimin e mallrave e dhënien e shërbimeve pa faturë tatimore”, tha Braçe.
Me ndryshimet e ligjit për tatimin mbi të ardhurat ulet barra tatimore për pagat deri 700 mijë lekë në muaj, ndërsa ato mbi 700 mijë lekë do të tatohen 30%. Njëkohësisht rritet në 15% tatimi mbi dividendin nga 8% që është aktualisht.
“Ndalet një favor të plotë tetë vjeçar, për më tepër që u aplikua në nisjet e tij me efekt prapaveprues, një padrejtësi që korrigjohet sot”, tha Braçe.
Taksa e qarkullimit 32.4 lekë me TVSH, nuk do të paguhet më në çdo litër naftë apo benzinë, por do të shlyhet një herë në vit tek taksat vjetore të mjetit që do të dyfishohen. E gjithë kjo paketë fiskale, për opozitën merr para nga xhepat e qytetarëve dhe do të sjellë falimentin e mijëra bizneseve.
“Paketa juaj fiskale është paketë e pamëshirshme. Ju vendosët të fusni, të falimentoni dhjetëra mijëra biznese duke i futur ato në TVSH. Ju vendosët me një trend të lapsit të përzini, të godisni çdo investitor i cili s'ka pse të vijë këtu të paguajë dividendin me 15%. E hoqëm taksën nga litri i naftës dhe e kaluam tek makina. Kë goditet ju me këtë? Goditet pikërisht ata që e përdorin më pak makinën”, tha Berisha.
Nga taksat, tatimet dhe miradministrimi fiskal me fokus luftën ndaj informalitetit në 2027-ën synohet të mblidhen 907 miliardë lekë.
Lajmi në përditësim...
Deputeti socialist Erion Braçe prezantoi në Kuvend raportin dhe ndryshimet e bëra nga Komisioni për Ekonominë, Financat dhe Punësimin për paketën fiskale dhe projektbuxhetin e shtetit për vitin 2027, në prag të votimit nen për nen dhe në tërësi.
Sipas Braçes, projektbuxheti i vitit 2027 garanton një balancë pozitive dhe bazohet në programin e Qeverisë. Sipas tij ky buxhet është i mirëstrukturuar. Ai vuri në dukje gjithashtu se trajektorja e borxhit publik mbetet në rënie, ndërsa ulen risqet që vijnë nga kontratat koncesionare apo partneritetit publik privat.
“Komisioni për financat, ekonominë dhe punësimin ka bërë një proces të plotë në një muaj. Është puna më e rëndësishme e tij në një vit, po aq edhe për komisionet e tjera parlamentare. Janë dhjetëra orë lexim, dëgjim, pyetje, përgjigje të marra, diskutime, propozime dhe në fund votim në to. Sot është detyra të shkojmë përpara me votimin këtu në Kuvend nen për nen dhe në tërësi të gjithë ligjeve të paketës fiskale dhe të projekt buxhetit të shtetit për vitin 2027.
Po komisioni për ekonominë dhe financat ka bërë ndryshime në ligjet e paketës fiskale dhe në ligjin e buxhetit. Thellojnë politikat e materializuara në to duke përfshirë shtuar përfitimet për kategori të gjëra të shoqërisë.
Një pjesë janë propozime për tu votuar sot këtu. Një pjesë i janë sugjeruar qeverisë për vitin në vijim, kryesisht në hartimin e politikave të reja dhe administrim të politikave që votojmë sot. Një pjesë janë detyrat shpallura që ky komision do t’i kryejë gjatë vitit duke kontrolluar zbatimin e këtyre ligjeve.
Dua të theksoj se së pari ndryshimet e propozuara për votim këtu nuk deformojnë ato që janë parimet kyç dhe ligjore të një buxheti të mirë. Tavanet e të ardhurave dhe shpenzimeve ato mbeten të parashikuar. 908 miliard lekë të ardhurat dhe 976 miliard lekë shpenzimet. Nuk prekin defiçitin buxhetor. Ai mbetet në nivelin e parashikuar prej 2.3%.
Nuk cënojnë detyrimin ligjor të balancës primare pozitive. Ajo mbetet në terren pozitiv deri neutrale. Nuk zhbëjnë rregullin e art të investimeve publike më të mëdha sesa defiçiti. Investimet janë më shumë se tre herë më të mëdha se defiçiti buxhetor i programuar.
Duke materializuar një stimul të fortë fiskal për punët dhe veprat për njerëzit. Nuk përmbysin detyrimin disavjeçar të uljes së borxhit publik, ai do të ecë drejt uljes në nivelin e 52%. Ul në nivelin minimal riskun buxhetor nga kontratat e koncesioneve apo partneritetit publik privat, duke bërë më të qartë zgjerimin e shërbimit publik pas përfundimit të tyre.
Të gjitha këto nuk janë numra pa kuptim, por e mirë publike, parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri e ekonomisë kombëtare në rritje dhe ekonomisë familjare që duhet dhe do të përfitojë prej saj”, u shpreh Braçe.
Kreu i PD, Sali Berisha e cilësoi paketën fiskale 2027 të pamëshirshme që rëndon jetën e popullit shqiptar nga foltorja e Kuvendit
“Paketë e pamëshirshme. Ju vendosët të fusni duart e zeza në xhepat e shqiptarëve. Ju vendosët të falimentoni mijëra biznese duke i futur në TVSH. Ju vendosët, me një të rënë të lapsit, të përzini dhe të godisni çdo investitor që s’ka pse të vijë këtu të paguajë 15% për dividendin, kur shkon në një vend tjetër ku nuk paguan fare taksë mbi dividendin.
Ju godisni profesionet e lira, që fituan në Gjykatën Kushtetuese, dhe ju ua rritët TVSH-në në 21%. Këto paguhen nga shqiptarët. Cinikë deri në ekstrem! ‘E hoqëm taksën nga litri i naftës dhe e kaluam te makina.’ Goditët pikërisht ata që e përdorin më pak makinën. Një pensionist që bën disa mijë kilometra në vit me makinë duhet të paguajë për taksën e qarkullimit njësoj si ai që bën 100 mijë kilometra”, tha Berisha.
Kuvendi do të miratojë sot nen për nen dhe në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale të 2027. Partia Demokratike ka propozuar 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro.
28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.
Edhe Partia e Lirisë prezantoi 12 amendamentet e saj përmes 4 paketave: rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbështetjes sociale.
Buxheti i vitit 2027 kalon për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove në shpenzime. Të ardhurat parashikohen në 907,9 miliardë lekë, ndërsa rritja ekonomike në rreth 4%. Ai u miratua në parim mes debatesh pa votat e opozitës më 18 nëntor, ndërsa bashkë me të do të votohet edhe paketa fiskale që përfshin ndryshime në pesë ligje tatimore.
28 amendamentet e PD:
1. Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
2. Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
3. Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
4. Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
5. Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
6. Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
7. Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
8. Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
9. Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
10. Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
11. Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
12. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
13. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
14. Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
15. Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
16. Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
17. Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
18. Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
19. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
20. Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
21. Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
22. Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
23. Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
24. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
25. Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
26. Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
27. Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.
28. Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
4 paketat e PL
1.Rinia- 7 miliardë lekë shtesë për arsimin dhe shkencën.
2.Made in Albania- 167 milionë euro për bujqësinë, 5,6 milionë për mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtje e pragut të TVSH-së.
3.Emergjencat Civile dhe Siguria- 35% rritje page për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve.
4.Paketa Sociale- 7,5 miliardë lekë shtesë për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, 3,5 miliardë për Onkologjikun.







Komente
Komento